LAJMI I FUNDIT:

Deklarohet sërish i pafajshëm serbi i akuzuar për krime lufte, prokurori thotë se do vërtetohet që ka kryer tortura si polic

Deklarohet sërish i pafajshëm serbi i akuzuar për krime lufte, prokurori thotë se do vërtetohet që ka kryer tortura si polic
Foto nga arkivi

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin gjyqësor të premten, i akuzuari për krime lufte Çaslav Joliq, u deklarua sërish i pafajshëm.

“Jo, nuk ndihem fajtor”, tha i akuzuari Joliq, pasi që u konsiderua e lexuar aktakuza nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).


Më pas, seanca ka vazhduar me fjalën hyrëse të prokurorit special Ilir Morina, i cili tha se shqyrtimi gjyqësor në fjalë ka të bëjë me trajtim çnjerëzor dhe tortura që i pandehuri Joliq i ka bërë në cilësi të pjesëtarit të Policisë së Serbisë.

Tutje, prokurori Morina tha se nga provat materiale dhe deklarata e dëshmitarëve, do të kuptohet se i pandehuri ka kryer tortura ndaj tre personave Zef Malsisë, Naim Feratit dhe Naxhmendin Currit.

Prokurori Morina tha se do të ftohen dëshmitarë që të dëshmojnë para trupit gjykues atë që kanë përjetuar nga i akuzuari Joliq, duke shtuar se secili dëshmitar do të identifikojë qartë të akuzuarin Joliq se ai ka qenë kryerësi i veprës penale me të cilën ngarkohet nga PSRK-ja.

Prokurori Morina po ashtu theksoi se si njëri nga të dëmtuarit iu kishte dashur 2 muaj që të i shërohen plagët e marra nga  tash i akuzuari Joliq.

Në fund të fjalës hyrëse, prokurori Morina tha se në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas administrimit të gjitha provave materiale, do të jetë e bindur gjykata se i akuzuari Jolic ka kryer veprat penale.

“Mbetem me bindjen se pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të të gjitha provave të propozuara me këtë aktakuzë, trupi gjykues do të ketë bindjen se i pandehuri është fajtor”, tha prokurori Morina.

Prezent ishte edhe i dëmtuari Malsia, i cili tha se përkrah në tërësi fjalën e prokurori Morina dhe se nuk ka çka të shtojë më shumë.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Joliq, avokati Miodrag Brklaq, fillimisht, tha se fjala hyrëse e prokurorit Morina është e paraqitur në mënyrë jashtëzakonisht profesionale dhe se për të meriton lëvdata.

Por, avokati Brklaq tha se para gjykatës gjendet një person i pafajshëm dhe se pas administrimit të provave që do të propozojë si mbrojtje, do të vërtetohet një rrethanë e tillë.

Avokati, lidhur me dëgjimi e dëshmitareve, i propozoi gjykatës që nëse të njëjtit nuk mund të jenë prezent fizikisht, të mundësohet dëgjimi i tyre me video-lidhje, siç është propozuar edhe te rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas avokatit Brklaq, arsyeja e kësaj kërkese që të dëgjohen dëshmitarët me video-lidhje është për faktin se të njëjti ndihen të frikësuar se edhe vetë mund të përfundojnë të arrestuar.

Avokati Brklaq tha se në këtë proces janë dy rrethana kontestuese, fillimisht se në ditën kritike duhet të pyetet se a ka qenë i uniformuar i akuzuari Joliq dhe rrethana e dytë se  a e ka kryer veprën penale me të cilën po akuzohet Joliq.

Pas dhënies së fjalës hyrëse nga palët në procedurë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli kërkoi nga prokurori Morina që për seancat e radhës bëjë renditjen e dëshmitarëve që dëshiron t’i ftojë.

Pas kësaj, prokurori Morina tha se në seancën e 29 qershorit do të ftohen dëshmitarët Zef Malsia dhe Naim Ferati, kurse për seancën e 30 qershorit, Nexhmendin Curraj dhe Xhevat Avdiaj.

Pas propozimit të prokurorit Morina lidhur më dëgjimin e dëshmitarëve të lartë përmendur, seancat e radhës për këtë rast, u caktuan me 29 dhe 30 qershor 2023.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 18 nëntor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq, me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës prej muajit janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në territorin e Komunës së Istogut, në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Sipas aktakuzës, në muajin maj të vitit 1998 në lagjen Bllagaq të fshatit Gurakoc, ishte rrëzuar një helikopter i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe për këtë arsye i dëmtuari Zef Malsia po i shoqëronte për tek vendi i ngjarjes dy gazetarë ndërkombëtarë, njëri anglez e tjetri belg së bashku me një përkthyese shqiptare dhe me të arritur tek vendi i ngjarjes, nga shtëpia e familjes së Rosa Pejçinoviq dalin 5 persona të veshur me uniforma të policisë serbe, Radule (Dule) Pejçinoviq, Çaslav Joliq, Darko Pejçinoviq, Milosh Joliq dhe një person tjetër i paidentifikuar, të cilët të dëmtuarin e kishin akuzuar se pse i kishte sjellë gazetarët e huaj tek vendi i ngjarjes, dhe për këtë arsye e sulmojnë fizikisht.

Aktakuza thotë se dy prej policëve të uniformuar e kishin kapur për krahë dhe në prezencë të gazetarëve kishin filluar ta godisnin me grusht dhe shqelma për një periudhë kohore rreth 20 minuta derisa në një moment i pandehuri i identifikuar me nofkën “Dulle”, e kishte goditur me boks në kokë, me ç’rast i dëmtuari kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar në tokë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, të cilat i kishte mjekuar në kushte shtëpiake, pastaj gazetarët e kishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ashtu të gjakosur e kishin kthyer në shtëpi në Gurakoc, kurse pas disa javësh si rezultat i luftës i dëmtuari ishte larguar nga Kosova.

Tutje sipas aktit akuzues, rreth datës 15 mars 1998 derisa i dëmtuari Naim Ferati po pinte kafe në restorantin “Shija” në Gurakoc, i shoqëruar nga Shemsi Kabashi pronari i restorantit, Mujë Hajzeraj, Refik Hajzeraj dhe Nue Pepaj, kishin shkuar 5 policë serbë dhe e kishin kapur për qafe duke e tërhequr zvarrë e kishin qitur jashtë lokali dhe që të pestit e sulmojnë fizikisht duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.

Prej tyre, aktakuza thotë se polici me emrin Rade Pituliq e kishte goditur disa herë me tytë të automatikut në kokë, duke ia mbuluar tërë trupin me gjak pastaj duke e tërhequr zvarrë e kishin dërguar në stacion policor në Gurakoc, në ato momente ngjarjen e kishte parë i dëmtuari Nexhmedin Curri pasi që edhe ai ishte rrahur nga i njëjti grup i policëve, me të dërguar në stacion të dëmtuarin Naim Ferati e paralajmërojnë se deri në ora 17:00 do të ekzekutohej dhe vazhdimisht ishte nën shoqërinë e policëve Halil Kovaçeviq dhe Popoviq.

Gjithnjë sipas aktakuzës, aty pastaj kishte ardhur një epror polic i quajtur Grujica Veloviq dhe e kishte liruar të dëmtuarin nga stacioni i policisë, pastaj me ndihmën e disa fqinjëve të tij kishte arritur që të shkojë në spitalin e Istogut, ku e kishte mjekuar doktori Xhevat Avdijaj, kurse më 28 mars 1999 ishte urdhëruar nga policia serbe që ta lëshojë shtëpinë sikurse çdo banor tjetër i fshatit dhe ishte nisur për në Shqipëri, ku gjatë rrugës prapë ishin maltretuar dhe plaçkitur nga ana e forcave serbe, ndërsa si pasojë e luftës ka pësuar dëme material në vlerë prej 50 mijë  marka gjermane.

Më pas, në aktakuzë thuhet se rreth 15 marsit 1998, i dëmtuari Nexhmedin Curri ishte nisur nga Gurakoci për në fshatin Vrellë të Komunës së Istogut për të marrë familjen e tij, ku kishte arritur në pikën e kontrollit policor në fshatit Gurakoc, ishte ndaluar nga ana e policisë dhe dy prej pjesëtarëve të policisë, njëri i njohur me nofkën “Llaza” dhe tjetri i paidentifikuar kishin hyrë me dhunë në veturë dhe kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i dërgonte deri tek shtëpia e personit me pseudonimin “Mala”.

Pastaj, aktakuza thotë se meqenëse i dëmtuari iu kishte thënë se nuk ia dinte shtëpinë atij personi, të njëjtit kishin kërkuar nga i dëmtuari që t’i kthejë në qendër të  fshatit Gurakoc, saktësisht tek dyqani ku kishte punuar personi me emrin “Sllavisha”, pastaj me të arritur para shitores e cila ishte në afërsi të pikës së kontrollit të policisë personi me emrin Rade Pituliq iu ishte drejtuar të pandehurve me fjalët “Se si po shëtiteni ju me irredentistin”, kurse personi me pseudonimin “Joliqi” e kishte nxjerrë nga vetura të dëmtuarin duke e goditur me kondak të armës automatike dhe nga aty kishte tërhequr zvarrë duke e dërguar në një lokal aty afër dhe kishte vazhduar duke e rrahur derisa kishin ndërhyrë disa policë të tjerë dhe e kishin nxjerrë të dëmtuarin nga lokali në gjendje të përgjakur, me dhëmbë të thyer.

Ndërsa, i pandehuri Joliq thuhet se i kishte thënë të dëmtuarit “Nuk je në Kosovë por je në Serbi, këtu është Serbia e madhe dhe se këtu nuk flet Ibrahim Rugova, por Millosheviqi”, kurse i dëmtuari ashtu në gjendje të përgjakur e merr veturën dhe largohet nga fshati Gurakoc dhe gjatë largimit kishte parë se si policët serbë e kishin rrahur të dëmtuarin Naim Ferati, ndërsa kishte vazhduar rrugën për në shtëpinë e tij dhe pastaj ishte larguar për në Mal të Zi prej ku ishte kthyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Me ketë, Çalsav Joliq akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohën e kryerjen së veprës penale.

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Gjendja shëndetësore e 20-vjeçarit që u ther me thikë në Ferizaj është stabile

Gjendja shëndetësore e 20-vjeçarit që u ther me thikë në Ferizaj është stabile

Lajme
​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

​Kurti ironizon me ushtrimet e ushtrisë serbe: Paraqesin ndotje të ajrit e tokës

Siguri
Kalo në kategori