Pamjet e Noni Madueke duke e quajtur Chelsean “klubin më të madh në Londër” janë bërë virale menjëherë pas transferimit të tij te Arsenali për një shumë të raportuar prej 52 milionë paund.

Ish-sulmuesi i Chelseat pritet të zyrtarizohet si lojtar i Arsenalit në ditët në vijim, duke iu bashkuar skuadrës së Mikel Artetës në përpjekje për të forcuar repartin ofensiv – hallka që konsiderohet si më e dobëta në garën për titull.


Klubi i “Topçinjve” ka përfunduar i dyti në tri sezonet e fundit në Premier League dhe ka synim të qartë fitimin e kampionatit për herë të parë që nga viti 2004. Madueke do të jetë gjithashtu një alternativë e rëndësishme për Bukayo Saka në krahun e djathtë.

Megjithatë, ndjenja e Maduekes për Chelsean duket se nuk është zbehur plotësisht. Një klip i vitit 2023 është rikthyer në vëmendje, ku ai shprehej hapur për respektin e tij ndaj “Bluzëve”:

"Dëgjoni, do ta them përsëri: është [Chelsea] klubi më i madh në Londër. Por është një nga klubet më të mëdha në botë, le të jemi të sinqertë", kishte thënë anglezi.

Ky koment pasqyron rivalitetin e gjatë mes dy klubeve londineze. Arsenali ka më shumë tituj të Premier League dhe histori më të gjatë në garat vendore, por Chelsea është klubi anglez me më shumë trofe evropianë në dy dekadat e fundit – përfshirë dy Liga të Kampionëve, dy Liga Evrope dhe një titull të Ligës së Konferencës.

Madueke bëhet përforcimi i katërt i Arsenalit këtë verë, pas Kepa Arrizabalaga, Christian Norgaard dhe Martin Zubimendi.

Ai ka regjistruar 20 gola dhe 9 asiste në 92 paraqitje me Chelsean, dhe do të jetë i motivuar të përmirësojë këto statistika në përpjekjen për ta ndihmuar Arsenalin të kthehet në majat e futbollit anglez. /Telegrafi/

telegrafi sport app