Deklarata e Osmanit se Trumpi e parandaloi përshkallëzimin e situatës nga Serbia shkakton reagime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, së voni ka parandaluar mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.
Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington, ku, po ashtu, rikujtoi sulmin e shtatorit 2023 në Banjskë, duke e cilësuar atë si një “akt agresioni” nga Serbia – “të përgatitur tërësisht brenda Serbisë”.
E deputetët e Kuvendit të Kosovës janë pyetur nga gazetarët rreth kësaj deklarate të Osmanit.
Ata kanë thënë se kjo është një nga arsyet që Kuvendi duhet të konstituuohet sa më shpejtë dhe të procedohen krijimi i institucioneve, duke nënkutpuar formimin e Qeverisë.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se vizita e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, po e gjen Kosovën të pa përgaditur.
Ajo tha se bota po ndryshon, e konstituimi i Kuvendit po ndryshon, sipas saj për shkak të kryeneçësisë së Kurtit.
“Vizita e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit e gjen Kosovën komplet të papërgaditur, pa institucione. Unë nuk mund të zbuloj detajet se asaj që do të thuhet, sigurisht që kryetari i partisë pas takimit do të ketë një komunikim. Mirëpo z. Kurtit nuk po i bëhet fare vonë. Bota po ndryshon shumë e ne mblidhemi sot këtu për të 46-tën herë për shkak të kryeneçësisë së z. Kurtit” – tha Çitaku.
E deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi, tha se çështja e sigurisë në Kosovë është një nga arsyet, sipas saj, që partia e saj ka insistuar që konstituimi i Kuvendit duhet të ndodhë sa më shpejtë.
“Çështjen e sigurisë në Kosvoë, Kosova nuk ka një siguri dhe me këtë situatë nuk është që ndihemi mirë. Ne jemi munduar që të ngirisn vetëdijen politike te grupet parlamentare, që të jenë më vigjilente dhe kjo sigurisht ka pas të nënkuptojë edhe me çështjen e sigurisë” – tha ajo.
Kurse deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se si deputete nuk ka ndonjë informatë të tillë (sikur të Osmanit), por tha që janë të pritshme veprimet e Serbisë.
“Absolutisht nuk kam ndonjë informatë, por janë të pritshme të gjitha veprimet të cilat ne pareshtur i kemi pa nga shteti serb dhe kjo nuk është asgjë e re. Sepse në mënyrë konsistente ka pasur përpjekje të Serbisë që ta pengojë Kosovën në çdo formë të funksionimit të saj. Dhe në këtë fazë është shumë rëndësishme që Kosova t’i ketë institucionet e saj dhe që të kemi një reflektim” – tha Deliu.
Ish nënkryetari i Prishtinës, tash deputet i LDK-së, Alban Zogaj, tha se pa institucione duhet të shqetësohemi çdo ditë dhe se, sipas tij, shqetësimi është i madh.
“Pa institucione ne duhet të shqetësohemi çdo ditë. Presidenca është një pjesë e institucioneve të vendit, por pjesa e Kuvendit është pjesa kryesore. Andaj shqetësimi duhet të ekzistojë dhe shqetësimi është i madh” – tha ai.
Kurse deputeti i PDK-së, Nait Hasani, deklaroi se beson që presidentja Osmani, sipas tij, fjalën e ka pasur për rastin e Banjkës, e jo për ndonjë rast konkret të kohëve të fundit.
“Mendoj që është për rastin e Banjskës, nuk mendoj që ka ndonjë rast tjetër. Kohëve të fundit nuk ka një gjë të tillë. Këto janë poteza të presidentes nëse ka mujt me ja huq në këtë drejtim, përndryshe vetëm rasti i Banjskës është rast i agresionit” – tha ai.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës në Uashington tha se Trump ka qenë shumë i qartë në deklaratën e tij.
“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona”.
“Ndaj, nuk duhet ta mohojmë mundësinë, sepse ka ndodhur më parë”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit të armatosur të një grupi serbësh kundër Policisë së Kosovës, në të cilin mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
“Meqenëse ka ndodhur më parë, parandalimi dhe frenimi janë thelbësorë. Dhe, ndonjëherë, parandalimi dhe frenimi kërkojnë më shumë sesa vetëm praninë e ushtrisë. Kërkojnë edhe udhëheqje politike. Duhet një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është pikërisht ajo që ndodh kur Amerika merr një rol udhëheqës”, u shpreh ajo.
Në fjalën e saj, presidentja Osmani paralajmëroi se rreziqet nga Serbia janë të vazhdueshme dhe tha se ato nuk duhen nënvlerësuar.
Sipas saj, presidenti Trump ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij deri tani, për të siguruar ruajtjen e paqes në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Dhe sigurisht, kjo fillon me frenimin e Serbisë”, tha ajo.
Teksa bënte thirrje për armëpushim në mes të Izraelit dhe Iranit, me 15.06.2025, Donald Trump shkroi se “gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin ashpër, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në luftë. Unë e ndala atë”.





















































