"Defekimi dhe urinimi i pavullnetshëm", psikologu Visar Sadiku tregon pse paraqitet ankthi te fëmijët

Psikologu klinik Visar Sadiku, gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, ka diskutuar mbi mirëqenien emocionale të fëmijëve dhe ndikimin e komunikimit në familje.
Sipas Sadikut, në familjet ku nuk flitet hapur për emocionet, fëmijët nuk gjejnë hapësirë për të shprehur ndjenjat e tyre duke i mbajtur ato brenda vetes.
Ai tha se kjo mund të shprehet përmes problemeve të defekimit dhe urinimit të pavullnetshëm, që në fakt janë forma të dekompenzimit dhe shprehjes së emocioneve të shtypura.
“Fëmijët shpesh thonë se nuk e dinë pse ndodh, por në të vërtetë, në mënyrë të pavetëdijshme, ata përdorin këto mënyra si një komunikim biologjik të ndjenjave të tyre”, shpjegon psikologu.
Ai thekson se ky fenomen lidhet edhe me stilin e prindërimit.
"Fëmijët që vijnë nga familje me prindër autoritarë janë më të prirë për të përjetuar këtë ndrydhje emocionale", tha Sadiku.
Në anën tjetër, siç u shpreh Sadiku prindërit me një qasje shumë liberale shpesh i plotësojnë çdo dëshirë fëmijës, duke krijuar një pritshmëri të vazhdueshme për vazhdimësi dhe mungesa e saj mund të shkaktojë vështirësi emocionale.
Sadiku përfundon duke theksuar se sfidat e tilla emocionale ndodhin më rrallë në familjet me stil autoritativ prindërimi, që kombinon kufizime të shëndetshme me komunikim të hapur dhe mbështetje emocionale.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë në Youtube:



















































