LAJMI I FUNDIT:

“DeepSeek” ka hequr vellon mistike të IA-së dhe kjo është arsyeja e vërtetë pse teknologët kanë frikë prej tij

“DeepSeek” ka hequr vellon mistike të IA-së dhe kjo është arsyeja e vërtetë pse teknologët kanë frikë prej tij
Kenan Malik

Ndërsa shqetësimet për privatësinë janë të justifikuara, problemi kryesor që ka Lugina e Silikonit [Silicon Valley] është se çetboti kinez po e demokratizon teknologjinë.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Jo, nuk ishte një “moment Sputnik-u”. Lansimi muajin e kaluar i DeepSeek R1-shit, inteligjencës artificiale [IA] gjenerative ose çetbotit kinez, shkaktoi kaos në botën e teknologjisë, duke çuar në rënie të aksioneve dhe në diskutime të shumta për humbjen e supremacisë së ShBA-së në teknologjinë e IA-së. Megjithatë, për gjithë këtë tronditje, krahasimi me Sputnik-un flet më shumë për neurozat amerikane sesa për DeepSeek-un.


Moment i vërtetë Sputnik ndodhi më 4 tetor 1957, kur Bashkimi Sovjetik tronditi botën duke lëshuar Sputnik 1-shin – hera e parë që njerëzimi dërgonte një satelit në orbitë. Ishte, për të përdorur këtu një frazë nga një ngjarje edhe më monumentale që ndodhi më vonë, “një hap i madh për njerëzimin”, siç u shpreh Neil Armstrong ndërsa hidhte një “hap të vogël” mbi sipërfaqen e Hënës.

Ishte gjithashtu një moment i rëndësishëm në Luftën e Ftohtë. Një raport konfidencial i Shtëpisë së Bardhë shprehu shqetësimin se “prestigji amerikan” kishte “pësuar një goditje të rëndë”, duke i dhënë Bashkimit Sovjetik një “avantazh të qartë në Luftën e Ftohtë”. Kjo frikë e nxiti Uashingtonin të riformësonte programin e tij hapësinor dhe çoi në misionet Apollo që kulmuan me Armstrongun dhe Buzz Aldrinin, më 20 korrik 1969, kur u bënë njerëzit e parë që ecën mbi një trup tjetër qiellor.

DeepSeek, i sponsorizuar nga një fond investimi kinez, është një arritje e rëndësishme. Megjithatë, teknikisht ai nuk përfaqëson një përparim ndaj modeleve ekzistuese të mëdha gjuhësore (LLM). Ai nuk është as më i shpejtë dhe as më “i zgjuar” se ChatGPT i OpenAI-së apo Claude i Anthropic-ut, dhe ka po aq prirje për “halucinacione” – një fenomen i zakonshëm te të gjithë LLM-të, që japin përgjigje të pasakta ose trillojnë “fakte” për të plotësuar boshllëqet në të dhënat e tyre.

Sipas NewsGuard-it – një sistem ky vlerësimi për faqet e lajmeve dhe informacionit – çetboti i DeepSeek-ut dha pretendime të rreme në 30 për qind të rasteve dhe nuk dha asnjë përgjigje në 53 për qind të pyetjeve, krahasuar me 40 për qind dhe respektivisht 22 për qind për 10 çetbotët kryesorë të analizuar në auditimin e fundit të NewsGuard-it.

Këto shifra nxjerrin në pah besueshmërinë e kufizuar të të gjithë LLM-ve. Shkalla veçanërisht e lartë e mosdhënies së përgjigjeve nga DeepSeek-u ka të ngjarë të jetë rezultat i censurimit të tij; ai refuzon të japë përgjigje për çdo çështje që Kina e konsideron të ndjeshme ose për të cilën dëshiron të kufizojë informacionin, qoftë për Sheshin Tiananmen apo për Tajvanin.

Ndikimi i vërtetë i DeepSeek-ut nuk qëndron në teknologjinë e tij, por në ekonominë e IA-së. Ai është një çetbot po aq i aftë, dhe po aq me të meta, sa modelet kryesore aktuale, por i ndërtuar me një kosto shumë më të ulët dhe me teknologji inferiore. Ndalimi i ShBA-së ndaj Kinës, për shitjen e çipave dhe pajisjeve më të avancuara për prodhimin e çipave – i vendosur nga administrata Biden në vitin 2022 dhe i forcuar disa herë që nga ajo kohë – synonte të kufizonte qasjen e Pekinit në teknologjinë më të avancuar. Paradoksalisht, kjo mund të ketë nxitur studiuesit kinezë të bëhen më inovativë.

DeepSeek është gjithashtu falas për t’u përdorur dhe me burim të hapur. Kombinimi i kostos së ulët dhe kësaj hapjeje mund të ndihmojë në demokratizimin e teknologjisë së IA-së, duke u mundësuar të tjerëve, veçanërisht atyre jashtë Amerikës, që të hyjnë në treg. Ka një ironi të caktuar në faktin që është pikërisht Kina ajo që po e hap këtë teknologji, ndërkohë që kompanitë amerikane vazhdojnë të krijojnë sa më shumë barriera për konkurrentët që përpiqen të hyjnë në këtë fushë.

Dhe, këtu qëndron ndoshta ndikimi më i madh i DeepSeek-ut. Ai ka shqyer vellon e misterit që më parë e rrethonte IA-në. Lugina e Silikonit ka kultivuar imazhin e teknologjisë së inteligjencës artificiale si një arritje të çmuar dhe pothuajse mrekullibërëse, duke i paraqitur figurat kryesore të saj, nga Elon Musk te Sam Altman, si profetë që na udhëheqin drejt një bote të re. Teknologjia është përshkruar me fuqi pothuajse magjike, përfshirë premtimin për një inteligjencë artificiale të përgjithshme (AGI) – makina superinteligjente, të afta të tejkalojnë njerëzit në çdo detyrë kognitive – si diçka pothuajse e arritshme.

Në prill të vitit të kaluar, Musku parashikoi se IA-ja do të ishte “më e zgjuar se çdo njeri” deri në fund të vitit 2025. Muajin e kaluar, Altman, CEO i OpenAI-së dhe nxitësi kryesor i bumit të IA-së gjenerative, bëri një deklaratë të ngjashme duke thënë se është “i sigurt që dimë si të ndërtojmë AGI-në” dhe se “në vitin 2025 mund të shohim agjentët e parë të IA-së që ‘bashkohen me fuqinë punëtore’”.

Gati një dekadë më parë, shkencëtari i shquar i kompjuterëve dhe fituesi i Çmimit Nobel, Geoff Hinton, i nxiti vendet të “ndalonin trajnimin e radiologëve” dhe teknikëve të tjerë mjekësorë, sepse “është krejtësisht e qartë që brenda pesë vitesh, mësimi i thellë [IA] do ta bëjë këtë më mirë”. Dario Amodei, CEO i Anthropic-ut, një kompani e themeluar nga ish-punonjës të OpenAI-së, ka pohuar se IA-ja mund të dyfishojë jetëgjatësinë e njerëzve brenda pesë deri në dhjetë vjetësh. Këto pretendime fantastike janë rrëzuar nga kritikët, si shkencëtari kognitiv amerikan Gary Marcus, i cili madje e ka sfiduar Muskun në një bast prej një milion dollarësh për deklaratën e tij se IA-ja do të bëhet “më e zgjuar se çdo njeri”.

Megjithatë, pavarësisht kundërshtimeve, sa herë që një parashikim fantastik dështon të realizohet, një tjetër merr vendin e tij. Këto pretendime burojnë më shumë nga nevoja politike dhe ekonomike sesa nga mundësitë reale teknologjike. Ndërsa IA-ja ka siguruar mjete jashtëzakonisht të rëndësishme, të afta të tejkalojnë njerëzit në fusha specifike – nga zgjidhja e problemeve matematikore deri te identifikimi i modeleve të sëmundjeve – modeli i biznesit mbështetet te zhurma. Është kjo zhurmë që nxit investime miliarda dollarëshe dhe blen ndikim politik, madje edhe një vend në inaugurimin presidencial.

Është gjithashtu një qasje që kërkon të avancojë IA-në më pak përmes përparimeve të mëdha shkencore dhe më shumë përmes një strategjie “të rritjes”, duke ndërtuar modele më të mëdha, duke përdorur grupe më të gjëra të dhënash dhe duke shfrytëzuar fuqi shumë më të madhe llogaritëse. Ajo që e bën DeepSeek-un vërtet tronditës është fakti që e sfidon këtë qasje, duke treguar se modelet më të mira të IA-së gjenerative mund të përputhen me më pak fuqi llogaritëse dhe një kosto më të ulët financiare.

Zhurma rreth DeepSeek-ut është pjesërisht një reflektim rreth zhurmës së IA-së në përgjithësi. Është gjithashtu një pasqyrim i tensioneve gjeopolitike. Nëse DeepSeek-u do të ishte krijuar nga disa programues në një universitet amerikan, me shumë gjasa do të ishte lavdëruar, por pa trazirat globale të dy javëve të fundit. Nën panikun e krijuar qëndron frika nga origjina dhe pronësia kineze e DeepSeek-ut.

Megjithatë, një obsesion i tepruar me gjeopolitikën e DeepSeek-ut mund të shtrembërojë mësimet që duhet të nxjerrim prej tij. Premtimi për qasje më të hapur në këtë teknologji jetike zëvendësohet nga frika për prejardhjen e tij kineze. Shqetësimet për privatësinë, censurën dhe mbikëqyrjen, të cilat janë të justifikuara në rastin e një modeli si DeepSeek, mund të errësojnë realitetin se këto probleme shqetësojnë gjithë teknologjinë e IA-së, jo vetëm atë që vjen nga Kina. Veçanërisht në një kohë të luftërave tregtare dhe kërcënimeve ndaj demokracisë, aftësia jonë për të naviguar mes zhurmës dhe frikës bëhet më e rëndësishme se kurrë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime

Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime

Zarf i Zi në Big Brother VIP Albania: Anulohet televotimi, pas incidentit me Gjestin

Zarf i Zi në Big Brother VIP Albania: Anulohet televotimi, pas incidentit me Gjestin

Magazina
Çmimi i bitcoin në nivelin më të ulët që nga fundi i 2024, teksa tregu i kriptovalutave

Çmimi i bitcoin në nivelin më të ulët që nga fundi i 2024, teksa tregu i kriptovalutave "futet në alarm" nga tarifat e Trump

Botë
Cili shtet i Evropës mund të goditet më së rëndi nga tarifat e Trumpit?

Cili shtet i Evropës mund të goditet më së rëndi nga tarifat e Trumpit?

Botë
Kanye West dhe Bianca Censori përjashtohen nga ‘Grammy’ 2025 për shkak të paraqitjes së tyre në tapetin e kuq

Kanye West dhe Bianca Censori përjashtohen nga ‘Grammy’ 2025 për shkak të paraqitjes së tyre në tapetin e kuq

Magazina
Trump përsërit kërcënimin për të rimarrë Kanalin e Panamasë “ose do të ndodhë diçka shumë e fuqishme”

Trump përsërit kërcënimin për të rimarrë Kanalin e Panamasë “ose do të ndodhë diçka shumë e fuqishme”

Botë
Kalo në kategori