Teksa përgatiten për një tjetër sezon të Ligës Premier, skuadra e Liverpoolit nën drejtimin e Arne Slot u përball me ekipin japonez Yokohama F. Marinos në një miqësore parasezonale – dhe vëmendjen e mori menjëherë afrimi i ri, Hugo Ekitike.

Sulmuesi francez, i cili iu bashkua “The Reds” këtë verë me një kontratë gjashtëvjeçare, ishte më parë i lidhur me një kalim të mundshëm te Newcastle United. Megjithatë, ai zgjodhi Liverpoolin dhe, nëse gjithçka shkon sipas pritshmërive, mund të ndjekë gjurmët e Alexander Isak – një tjetër lojtar që admirohet nga Arne Slot dhe stafi i tij.


Ekitike u vendos në qendër të sulmit, me mbështetjen e Cody Gakpo dhe Mohamed Salah në krahë, ndërsa pas tij vepronte lojtari i ri premtues, Florian Wirtz. Që në minutat e para, francezi tregoi potencialin e tij.

Vetëm pas dy minutash, ai pranoi një pasim nga Salah në zonë, mes dy mbrojtësve kundërshtarë, dhe e kontrolloi topin me shkathtësi. Edhe pse nuk arriti të shënojë, ai dha një sinjal të fortë për cilësinë që mund t’i sjellë Liverpoolit këtë sezon.

Një tjetër moment i spikatur erdhi në minutën e 25-të, kur Ekitike – i cili shënoi 26 gola dhe dha 14 asiste në 64 ndeshje me Eintracht Frankfurt – lexoi saktë një pasim të Conor Bradley dhe tentoi një goditje të guximshme. Edhe pse tentativa nuk u konkretizua, ajo tregoi vetëbesimin dhe guximin e tij.

“Ekitike është i shpejtë, i shkathët, punon shumë pa top dhe do të përmirësohet edhe më shumë javët e ardhshme teksa përshtatet me ekipin,” komentoi një tifoz pas paraqitjes së tij 45-minutëshe. Një tjetër shtoi: “Dukej shumë i freskët dhe në harmoni me Salahun dhe Wirtzin.”

Reagimet nga tifozët nuk munguan. Disa madje e krahasuan me Darwin Nunez, duke sugjeruar se aftësitë e Ekitike për të ndërtuar lojën janë më të avancuara sesa ato që ka treguar uruguaiani gjatë tre sezoneve të fundit.

“Ekitike, për vetëm 10 minuta, tregoi më shumë përmirësim sesa Nunez në thuajse tre vjet,” shkruante një komentues në rrjetet sociale.

Në vlerësimin e pjesës së parë, Liverpool Echo i dha Ekitike një notë 6/10, duke theksuar: “E pranoi mirë një pasim të hershëm nga Salah dhe u përpoq të lidhej me repartin ofensiv, por ende nuk pati raste të pastra për të shënuar në debutimin e tij jozyrtar.”

Sezonin e kaluar, në Bundesligë me Eintracht Frankfurt, Ekitike realizoi 22 gola dhe regjistroi 12 asistime në 48 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Tani mbetet për t’u parë nëse këto statistika do të përkthehen me të njëjtën efektivitet në Ligën Premier. /Telegrafi/

telegrafi sport app