LAJMI I FUNDIT:

Dëbimi i avokatit Tienmu Ma, vijnë reagimet e para – çështja mund të hetohet edhe nga OKB-ja 

Dëbimi i avokatit Tienmu Ma, vijnë reagimet e para – çështja mund të hetohet edhe nga OKB-ja 

Profesori i të drejtave të njeriut në Universitetin Yale, James Silk i ka shkruar një letër kryeministrit Avdullah Hoti, ambasadorit amerikan Philip Kosnett, zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan Matthew A. Palmer, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për mos vazhdimin e leje qëndrimit për avokatin Tienmu Ma, i cili ka shërbyer si këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti.

Profesori Silk në letër shkruan se është ndjerë thellësisht i shqetësuar kur mësoi për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës për të larguar nga Republika e Kosovës juristin e të drejtave të njeriut Tienmu Ma, sidomos tani në mes të pandemisë COVID-19.


Silk më tej shkruan se kjo sjellje, që mund të shihet vetëm si përpjekje për t’u hakmarrë kundër një juristi të të drejtave të njeriut, thjesht pse ka bërë punën e tij të duhur e të rëndësishme, jo vetëm nëpërkëmb përparimin e Kosovës drejt demokracisë dhe vendosjes së sundimit të ligjit, por cenon edhe Deklaratën e OKB-së për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut.

“Abuzime të këtilla përbëjnë bazë për hetimin e veprimeve të Kosovës nga Raportuesi Special i OKB-së mbi Situatën e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut”, shkruan ai.

“Z. Ma është person me integritet të pamasë dhe me karakter të lartë moral. Unë kam privilegjin t’u ligjëroj disa prej studentëve më të mirë në botë, dhe ata që regjistrohen në klinikën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ‘Lowenstein’ jo vetëm se janë jashtëzakonisht të talentuar, por edhe të zotuar për të çuar përpara drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Ata janë prore ndër njerëzit më të përkushtuar, bujarë e të përulur që kam njohur ndonjëherë. Brenda këtij grupi prej qindra studentësh të jashtëzakonshëm – dhe tani ish-studentëve – do ta vendosja zotin Ma në rrethin e ngushtë të atyre te të cilët kam besim të padiskutueshëm edhe për çështjet më të ndjeshme. Unë kam besim të madh në cilësinë e punës së tij, por më e rëndësishmja, nuk kam ngurrim rreth përkushtimit të tij ndaj ndershmërisë dhe korrektësisë. Ky përkushtim është i fortë dhe i pjekur”, thuhet ndër të tjera në letër.

Ditë më parë shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, për mediat ka thënë se këshilltari i kreut të VV-së, nuk i ka plotësuar kushtet për të marrë leje të qëndrimit.

“Komisioni ka pru vendim që nuk i ka plotësua kushtet për ta marrë lejeqendrimin, në bazë të rregullave. Vendimi del nesër, ose këto ditë”, ishte shprehur ai.

Për rastin e avokatit Tienmu Ma ka reaguar ditë më parë edhe ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Gjyljeta Mushkolaj.

Ajo ka thënë shpreson që lajmet se po përgatitet dëbimi nga Kosova i Tienmu Ma, studiuesit dhe mbështetësit shumëvjeçar të institucioneve të Kosovës për të përparuar të drejtat e njeriut nuk është i vërtetë.

“Nuk dua të besoj që ne, shqiptarët e Kosovës që e dijmë vlerën e kontributit të veprimtarëve për të drejtat e njeriut anë e kënd botës, tani që e bëmë shtetin tonë, me përkrahjen e fuqishme e jetike të njerëzve si Tienmu, me kaq lehtësi, mund ta dëbojmë atë dhe ti japim goditje në bosht kurrizor Kushtetutës sonë dhe vlerave të popullit tonë, në të cilat (mendojmë se) besojmë!”, shkruan Mushkolaj.

“Tienmu Ma, na fal për këtë çmenduri (nëse këto lajme janë të vërteta)! Ti, me siguri na njeh mirë dhe e kupton se në mesin e popujve të nëpërkëmbur, as shoqëria civile nuk ka mjaft zë për të mbrojtur pjesëtarët e vet më të mirë!”, shkruan ajo.

Avokati Tienmu Ma është shtetas amerikan, i lindur në California, ShBA. Ai ka qenë hartues i raportit të Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me deportimin e gjashtë shtetaseve turq (i njohur si rasti i Gylenisteve).

Raporti, i cili është miratuar nga Kuvendi në qershor 2019, pati gjetur plot 31 shkelje gjatë procedurave/procesit të deportimit të shtetaseve turq. Tienmu poashtu pati shërbyer si këshilltar i jashtëm për të drejtat e njeriut i kryeministri Kurti gjatë Qeverisë Kurti. /Telegrafi/