Komuna e Drenasit ka reaguar në Facebook lidhur me debatet e fundit për urën në Shtrubullovë, duke thënë se është e obliguar të sqarojë opinionin publik “me fakte dhe dokumente”, ndërsa ka mohuar pretendimet se institucioni është në pritje të dorëzimit të dokumentacionit teknik.

Sipas Komunës, që nga muaji shkurt është marrë “intensivisht” me këtë çështje, duke adresuar fillimisht kërkesën për mbështetje financiare në Komisionin Parlamentar përkatës, para miratimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës, me qëllim që projekti të përfshihej në planifikimet buxhetore.


“Kërkesa për mbështetje financiare për ndërtimin e urës fillimisht është adresuar në muajin shkurt në Komisionin Parlamentar përkatës, para miratimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Komuna ka bërë të ditur se në muajin mars kërkesa është dërguar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, së bashku me projektin, paramasën dhe parallogarinë.

“Më pas, kërkesa në muajin mars është dërguar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, së bashku me projektin, paramasën dhe parallogarinë”, thuhet më tej.

Në reagim, Komuna pretendon se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme, përgjigjet e pranuara nga ministria kanë qenë se nuk ekziston kod buxhetor dhe se nuk ka mundësi financiare për ta financuar projektin.

“Përkundër kërkesave tona të vazhdueshme, përgjigjet e pranuara nga Ministria kanë qenë se nuk ekziston kod buxhetor dhe as mundësi financiare për financimin e këtij projekti”, thuhet në reagim.

Komuna ka deklaruar se pas këtyre përgjigjeve, kryetari Ramiz Lladrovci në seancë të Kuvendit Komunal ka propozuar krijimin e një kodi të ri buxhetor, përmes rialokimit të mjeteve nga projekte të tjera kapitale për ndërtimin e urës. Sipas saj, vetëm pas këtij propozimi, ministri ka njoftuar publikisht se Ministria do ta marrë përsipër financimin e projektit.

“Vetëm pas kësaj, ministri përmes një deklarimi publik në Facebook njoftoi se Ministria do ta marrë përsipër financimin e projektit”, thuhet në reagim.

Komuna ka theksuar se pretendimet se është në pritje të dokumentacionit teknik “nuk qëndrojnë”, duke thënë se projekti, paramasa dhe parallogaria janë dorëzuar që në shkurt, ndërsa dokumentet janë ridërguar edhe një herë “për hir të transparencës dhe përshpejtimit të procedurave”.

“Pretendimet se Komuna është në pritje të dorëzimit të dokumentacionit teknik nuk qëndrojnë… i kemi ridërguar edhe një herë të gjitha dokumentet e kërkuara”, thuhet më tej.

Në fund, Komuna e Drenasit ka thënë se e mirëpret çdo gatishmëri për financimin e projektit, por ka vlerësuar se është e padrejtë të krijohet përshtypja se procesi ka nisur tani, pasi, sipas saj, pas tij qëndrojnë muaj pune dhe angazhim institucional.

“Është e padrejtë të krijohet përshtypja se ky proces ka filluar tani, kur në fakt pas tij qëndrojnë muaj të tërë pune, kërkesa zyrtare dhe angazhim institucional nga Komuna e Drenasit”, përfundon reagimi. /Telegrafi/