Data e pamjeve nuk dihet, por aty thuhet se shihet Bashar al-Assad duke ‘u tallur’ Putinin

Ish-presidenti sirian Bashar al-Assad dhe ish-këshilltarja e tij Luna al-Shibl tallën presidentin rus Vladimir Putin në videot e publikuara së fundmi, të siguruara nga Al Arabiya.
Që nga e shtuna, Al Arabiya ka transmetuar regjistrime që thuhet se tregojnë al-Assad në biseda private me al-Shibl, në të cilat ai tall figura dhe ngjarje të ndryshme brenda Sirisë.
Megjithatë, sipas Al Arabia, përcjell Telegrafi, data e pamjeve është e paqartë.
Regjimi i al-Assad u rrëzua nga forcat e opozitës siriane vitin e kaluar, pas së cilës ai kërkoi strehim në Rusi - i njëjti vend që e kishte mbështetur atë gjatë gjithë luftës civile siriane. Besohet se ai aktualisht jeton në Moskë.
Por “rrjedhja e fundit” hedh dritë të re mbi marrëdhënien e al-Assad me rrethin e tij të ngushtë dhe me presidentin e Rusisë Putin, aleatin më të rëndësishëm të regjimit të tij.
Në një klip, al-Shibl, që vdiq në korrik 2024 pasi u lëndua në një aksident me makinë, komenton me ironi për pamjen dhe shëndetin e Putinit, duke thënë: "A e pe sa i fryrë duket Putini?".
Al-Assad përgjigjet: "Janë të gjitha operacione".
Al-Shibl shton: “Po, gjithçka rreth Putinit është operacion. Ai është 65 vjeç… ai klip e ekspozoi keq”.
Burimet i thanë Al Arabiya se Amjad Issa, ndihmësi i al-Shibl, ishte në makinë me al-Assad kur u bënë regjistrimet. /Telegrafi/
















































