Dashuria e kalbur: Si po çlirohen ukrainasit nga librat në gjuhën ruse

Pushtimi i Putinit ka shtyrë adhuruesit e librave në Ukrainë që të largohen nga dominimi letrar rus.
Nga: Charlotte Higgins, nga Kievi dhe Harkivi (Ukrainë) / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Në një ditë të kësaj vere, artisti ukrainas, Stanislav Turina, çoi dy nga librat e tij në kopshtin e tij afër Kievit. Njëri prej tyre ishte një përmbledhje me poezi nga Aleksandër Pushkini.
Por, Turina - një lexues i zjarrtë që nuk del kurrë pa disa libra në çantën e shpinës - nuk kishte ndërmend ta hapte më [Pushkinin].
Rusi i shekullit XIX tashmë ka një jehonë problematike në Ukrainë - që nga pushtimi i plotë i vendit në vitin 2022. Ai shpeshherë përdoret nga pushtuesit si simbol i rusishtes: për shembull, posterët gjigantë që paraqesin shkrimtarin, u ngritën në qytetin jugor të Hersonit gjatë okupimit të tij.
Lexo po ashtu:
- Putini, Pushkini dhe rënia e Perandorisë Ruse - Poetët që frymëzojnë rezistencën e Ukrainës - Rrëfimet që shpërfaqin shpirtin e Ukrainës - Artistja më e dashur e Ukrainës: Simboli i mbijetesës dhe ringjalljes kombëtare - Traditat e ukrainasve janë më të forta se granatimet e Rusisë

Për shumë vetë në Ukrainë, kjo tregon se Pushkini po përvetësohet si armë kulturore në luftën e Rusisë. Disa gjithashtu do të thonë se poezia e Pushkinit përforcoi, madje ndihmoi në formimin e ideologjisë perandorake të Rusisë. Shumë statuja të shkrimtarit janë larguar që nga viti 2022, ndërsa shumë rrugë që mbanin emrin e tij (kishte të paktën 594 në vitin 2018) kanë marrë emrat e mëparshëm ose emra të rinj.
Turina e dinte se nuk ka mundësi ta shesë librin. “Nuk mund t’ia jepje një miku, nuk mund t’ia jepje ndonjë biblioteke”, tha ai. Kështu që, në kopshtin e tij, Turina vendosi - me kujdes dhe në mënyrë eksperimentale - vëllimin e Pushkinit në zjarr.
Të ushqesh Pushkinin me flakë nuk ishte ndonjë gjest i madh urrejtjeje. Ishte një akt privat dhe eksplorues i një artisti, tha ai.
“Kam frikë të djeg libra, t’i shkatërroj”, tha ai. “Për mua është një simbol i të qenët barbar”. Ai tha se qëllimi i tij ishte krejt ndryshe. Donte të zbulonte si do të ndihej. A do të kishte ndonjë katarsis? Trishtim? Zemërim?
“Nuk ndjeva asgjë. Nuk ndjeva asgjë të mirë, asgjë të keqe”, tha ai.
Libri i dytë në dorën e Turinës ishte një përmbledhje poezish nga shkrimtari bashkëkohor rus, Dmitry Vodennikov.
Për të, ky përfaqësonte një marrëdhënie krejt të ndryshme letrare.
Kur ishte student në qytetin perëndimor të Lvivit në fillim të viteve 2000, Turina e kishte parë Vodennikovin duke interpretuar veprën e tij. Ishte një zbulesë.
“Ishte diçka e re, një zë i ri. E kuptova që ishte homoseksual: kjo thuhej mes rreshtave. Ishte aq i butë. Ishte shumë interesant”, tha ai. “Nisa të bëhem adhurues i tij”.
U tha prindërve se i duheshin më shumë para për atlete sportive. Pastaj shpenzoi atë që përbënte më shumë se gjysmën e bursës së tij mujore, si student, për një kopje të vetme të poezive të Vodennikovit.
“Me kohë, i mësova përmendësh të gjitha poezitë e tij”, tha Turina. “Ai u bë pjesë e mënyrës sime të të menduarit, e vizionit tim për punën time”.
Por, më pas, pas vitit 2022, Turina vendosi të kontrollonte qëndrimin e Vodennikovit për luftën - “dhe tani”, tha ai, “po zbuloj se ai është një poet pro-luftës”. Turina vendosi ta linte librin e ish-idhullit të tij në kopsht - për t’u kalbuar.
Në mbarë Ukrainën, lexuesit po përballen me vendimet se çfarë duhet të bëjnë me librat në gjuhën ruse. Shumë njerëz - dhe veçanërisht ata në komunitetin krijues dhe kulturor - kanë kaluar në përdorimin e gjuhës ukrainase në jetën e tyre të përditshme.
Si të “dekolonizohen” në mënyrën më të mirë nga shekujt e ndikimit kulturor rus dhe sovjetik - kjo është një temë e shpeshtë diskutimi.
Në shumë raste, raketat ruse ua kanë hequr individëve mundësinë për vendim. Mëngjesin e 23 qershorit, për shembull - pas një breshërie dronësh Shahed dhe të raketave lundruese - librat në gjuhën ruse, disa me sa duket të njollosur me gjak, ishin pjesë e rrënojave të një blloku apartamentesh në distriktin Shevçenkivskaji të Kievit. Dhjetë persona, përfshirë një 11-vjeçar, u vranë në sulm.

Kur apartamenti i Kateryna Iakovlenkos në Irpin, pak jashtë Kievit, u godit drejtpërdrejt në mars të vitit 2022, gjithë librat e shkrimtares dhe kuratores, përfshirë ata në rusisht - gjuha me të cilën është rritur - u shkatërruan. Po ashtu edhe të gjitha sendet e tjera personale.
Tre vjet më vonë, ajo zotëron vetëm dy libra në rusisht - që të dy përkthime nga gjuhë të tjera, asnjëri i qasshëm në gjuhën ukrainase, dhe që të dy të dhuruar nga vetë autorët.
Oleksandr Mykhed u përball me një situatë të ngjashme kur shtëpia e tij në Hostomel, afër Kievit, u godit në javët e para të pushtimit të plotë. Në librin e tij Gjuha e luftës, shkrimtari, tani pjesëtar i forcave të armatosura, rrëfen vizitën në rrënojat e shtëpisë dhe gjetjen e librave të tij - të Dostojevskit dhe Nabokovit - mes rrënojave.
Përvoja e humbjes së shtëpisë ia ka ndryshuar atij marrëdhënien me zotërimet - përfshirë librat.
“Pasi bëhesh refugjat, gjithmonë mendon si refugjat”, tha ai. “Më mirë të mos kesh ndjenja sentimentale për librat. Janë vetëm kilogramë për të cilët mund të mendosh çfarë të bësh, nëse të duhet të largohesh”. Në bibliotekën e tij të re nuk ka libra në gjuhën ruse, madje as përkthime të letërsisë së huaj.

Në qershor të këtij viti, Mariana Matveichuk, një gazetare e pavarur, çoi 90 kilogramë libra në gjuhën ruse në një qendër riciklimi pranë qytetit të saj të lindjes në Ukrainën perëndimore.
Ajo është rritur në një zonë ku flitej gjuha ukrainase dhe studio në një universitet në gjuhën ukrainase - në Kiev, në fillim të viteve 2000. Megjithatë, në atë kohë shumica e banorëve të qytetit, si dhe shumë nga studentët e tjerë, flisnin rusisht.
Shumë autorë që ajo studioi - për shembull, filozofët francezë Gilles Deleuze dhe Jacques Rancière - ishin gjithashtu të qasshëm në përkthim në gjuhën ruse, por jo në gjuhën e ukrainasve.
Ajo tha se kishte “një fetishizëm për librat” dhe frekuentonte tregun e madh të librave të përdorur në Poçajna të Kievit. Kur diplomoi, grumbullin e librave e çoi me tren për në Ukrainën perëndimore.
Këto janë vëllimet që ajo tani i ka ricikluar - duke kursyer letrat dhe ditarët e Anton Çehovit. “Kam respekt personal për të. Çehovi është qesharak, më pëlqen sensi i tij i humorit”, tha ajo. “Dhe, gjithashtu janë të fshehura te nëna ime, që askush të mos shohë libra rusë në raftet e mia”.
Ajo e kishte menduar mundësinë për t’i shitur librat e saj - sërish te shitësit në tregun e librave në Poçajna - por, “mendova, jo, nuk dua t’u jap një jetë të dytë”.

Duke u kthyer prapa në numrin e teksteve studimore që kishte lexuar në rusisht, si studente - pavarësisht se ishte folëse e gjuhës ukrainase në një universitet në gjuhën ukrainase - ajo kishte reflektuar, tha, mbi “rusifikimin e heshtur” të kulturës që po e rrethonte atë.
Gjithashtu, të heqësh qafe librat e saj në rusisht (“e hoqa Tolstoin, Dostojevskin, 12 vëllime të [poetit dhe dramaturgut Vladimir] Majakovskit) ishte, sipas saj, një mënyrë për t’ia “dhënë lamtumirën disa prej bindjeve të mia kur isha 20 vjeçe. Po ia jap lamtumirën asaj që mendoja se ishte e rëndësishme”.
Ekzistojnë, ndoshta, po aq nuanca mendimesh mbi pyetjen se çfarë duhet të bëhet me librat rusë, përderisa ka dashamirës librash. Ka nga ata që kanë vendosur t’i mbajnë, sepse janë pjesë e një historie familjare - ndoshta duke reflektuar përpjekjet e prindërve apo të gjyshërve për t’i siguruar ato nën Bashkimin Sovjetik.
Ka nga ata që kanë filluar ta urrejnë gjuhën ruse, duke e lidhur atë me botën e mendimit dhe flluskën mediatike të vendit pushtues, por që gjithsesi kanë ruajtur ndonjë libër - një përkthim të çmuar rus të Haruki Murakamit, për shembull - sepse përfaqëson një pjesë të së kaluarës së tyre personale.
Në Harkiv, një qytet që për dekada ishte kryesisht rusishtfolës, artisti Pavlo Makov përdor gjuhën ukrainase në jetën e përditshme.
Por, ai nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga librat e tij në rusisht.

Shumë tituj në gjuhë të huaja ende mungojnë në përkthime të mira në gjuhën ukrainase, tha ai - një pasqyrim i dominimit të krahasueshëm të Rusisë dhe rusishtes, krahasuar me Ukrainën dhe gjuhën ukrainase në tregun botëror të botimeve pas-sovjetike.
Dhe, ai kishte dyshime për vendimin e shkatërrimit apo riciklimit të librave në gjuhën ruse, pasi kjo mund të krijojë asociacione me veprimet e regjimeve autoritare. “Mendoj se për imazhin e Ukrainës, nuk është ide e mirë të bësh gjëra të tilla. Në rregull, e urren gjuhën ruse. E kuptoj. Por, libri është burim informacioni”.
Në fakt, të studiosh librat dhe letërsinë ruse është gjë e rëndësishme, tha ai, “sepse ky vend është armiku ynë, dhe ky armik është shumë afër. Ne duhet ta analizojmë, duhet ta studiojmë atë”.
Në Poçajna, në tregun e madh të librave të përdorur në Kiev, biznesi nuk është shumë i vrullshëm. Është padyshim vendi ku mund të blesh libra në gjuhën ruse - megjithëse ndoshta jo nëse dëshiron t’i shesësh ato.
Në një qoshe ndodhet ajo që një shitës i librave të përdorur, Dmytro Drobin, e quajti “piramidë egjiptiane” me libra të cilët askush nuk mund t’i shesë - kryesisht botime sovjetike në gjuhën ruse, të çdo gjëje, nga Tolstoi dhe Çehovi e deri te letërsia popullore dhe përkthimet e Stendhalit.
Një tjetër shitëse librash, e cila preferoi të mos e jepte emrin, shet libra të përdorur dhe antikuarë në gjuhën ukrainase dhe ruse. Ajo tha se zgjedhja e gjuhës përcaktohet kryesisht nga brezi. “Të rinjtë kryesisht duan të lexojnë në gjuhën ukrainase”, tha ajo.
Kur njerëzit ofrojnë libra në rusisht, për t’i blerë, rrallëherë i pranon: kërkesa ka rënë.

Herë pas here, tha ajo, klientët pyesin për “libra të rinj të botuar në Rusi. Ka shumë, shumë pak prej këtyre njerëzve”. Që nga viti 2016, importi i librave nga Rusia është kufizuar dhe kërkon leje; dhe, që nga viti 2023, është ndaluar me ligj.
Dmytro Drobin, një shitës librash - i rrethuar në dyqanin e tij nga mijëra libra në gjuhën ruse - tha se beson se qeveria e tij po ndjek një “ukrainizim të detyrueshëm”. Ai e krahasoi klimën me situatën nën Perandorinë Cariste, kur botimi i librave në gjuhën ukrainase ishte shumë i kufizuar.
Librat në gjuhën ruse, nga autorë ukrainas, mund të botohen, por që nga viti 2023 nuk janë të përshtatshëm për mbështetje nga shteti. Që nga viti 2023, librat nga shtetas rusë nuk lejohen të botohen. Gjuha ukrainase është e vetmja gjuhë zyrtare e vendit, por rusishtja vazhdon të flitet gjerësisht; gjuhët e pakicave përfshijnë tatarishten e Krimesë.
Biznesi është i dobët, tha Drobin. Ai ia atribuoi këtë miliona ukrainasve që kanë lënë vendin, numrit të madh të njerëzve në ushtri dhe kohëve të vështira ekonomike të shkaktuara nga lufta.
“Vetë natyra e leximit është shembur”, tha ai.
Në një librari në gjuhën ukrainase në periferinë jugore të Kievit, në bregun e majtë të qytetit, atmosfera ishte më pozitive. “Alpaca”, shumë larg nga libraritë e reja hipster të qendrës së Kievit, shet kryesisht libra për fëmijë.

Libraria u ka ofruar klientëve një marrëveshje: nëse sjellin libra të padëshiruar në rusisht, mund të marrin zbritje prej 20-30 për qind për librat e rinj që blejnë në dyqan. Të ardhurat shtesë që libraria fiton nga shitja e librave në rusisht, për riciklim, dhurohen për forcat e armatosura të Ukrainës.
“Doja t’u jepja njerëzve mundësinë të shpëtonin nga grumbujt e vjetër të librave që vetëm rrinë aty. Nuk mund t’i dhurosh, nuk mund t’i shesësh, është për të ardhur keq që vetëm qëndrojnë aty”, tha menaxherja e librarisë, Maryna Medvedeva.
Për këtë skemë, ajo dhe kolegët e saj kishin sjellë vetë librat e tyre në rusisht. “Nuk më vjen keq. Mendoja t’i mbaja [disa libra rusë], por pastaj hapa njërin, mendova ta lexoj - por, jo, nuk mundem, është thjesht një ndjenjë neverie”.
Yulliia Kavun po bënte pazar në librari me djalin e saj të vogël, Myron. Familja e saj u zhvendos nga qyteti Kostiantinjivka, në rajonin lindor të Donjecit, pas marrjes së kontrollit të pjesëve të rajonit nga forcat e mbështetura nga Rusia në vitin 2014. Pjesa më e madhe e bibliotekës së tyre familjare - në gjuhën ruse, gjuhë e familjes - u shkatërrua përfundimisht, bashkë me shtëpinë e tyre më 26 shkurt të këtij viti.

Tani ajo po mendonte të përfitonte nga skema e “Alpaca”-s për të ndihmuar në blerjen e librave të nevojshëm për shkollimin e Myronit.
Për Kavunan, zgjedhjet për librat pasqyrojnë një përshtatje të nevojshme me rrethanat e saj të padenja si refugjate.
Ajo tha se kishte planifikuar të shkonte në Poloni, ku tashmë jeton vajza e saj, e diplomuar - por, kjo kërkon edhe një ndryshim tjetër gjuhësor dhe letrar.
“Këtu jemi askush dhe në Poloni jemi gjithashtu askush. Atëherë çfarë ndryshimi ka? Mund të shkojmë edhe atje. Kështu që do të na duhet të blejmë libra në polonisht, sapo të shkojmë”. /Telegrafi/

















































