Kombëtarja e Kosovës U16 e vajzave e ka nisur me fitore turneun zhvillimor të UEFA-s, që po mbahet në Estoni.  

Në ndeshjen e parë të këtij turneu, vajzat e përzgjedhëses Xhuli Berisha kanë treguar karakter të fortë dhe cilësi, duke e përmbysur rezultatin dhe triumfuar ndaj nikoqirit Estonisë me shifrat 5-3, ndonëse nga minuta e 16-të kanë luajtur me një lojtare më pak pas përjashtimit të portieres Bleona Mustafa. 


Ndeshja nisi me gol të shpejtë nga vendaset, të cilat kaluan në epërsi që në minutën e 4-t.  

Mirëpo, vajzat tona reaguan shpejt dhe vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 8-të, Romesa Shumolli barazoi rezultatin në 1-1. 

Estonia arriti të shënojë edhe dy herë të tjera në pjesën e parë, duke shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë dhe duke shkuar në pushim me epërsi 3-1.  

Por në pjesën e dytë, Kosova tregoi fytyrën e saj të vërtetë. Krenare Kelmendi shënoi në minutën e 47-të për të ngushtuar rezultatin në 3-2.  

E vendosur për të mos u ndalur, Kosova gjeti barazimin në minutën e 65-të me golin e Jonida Godenit, ndërsa vetëm dy minuta më pas, Krenare Kelmendi realizoi golin e saj të dytë personal, duke e përmbysur plotësisht rezultatin në 3-4 për Kosovën. 

Fitoren e siguroi Olsa Kuçi me një gol të bukur në minutën e 70-të, duke vulosur shifrat përfundimtare 5-3 në të mirë të vajzave tona. 

Një paraqitje e shkëlqyer dhe një fitore shumë e rëndësishme për këtë grup premtues të lojtareve, që dëshmuan potencialin dhe përgatitjen serioze që kanë bërë nën drejtimin e stafit.  

Ndeshjen e radhës Dardanet e reja do ta zhvillojnë më 1 maj kundër Sllovakisë, derisa më pas luajnë kundër Islandës, më 4 maj. 

telegrafi sport app