Regjisori, Danny Boyle, ka zbuluar sfidat e pazakonta me të cilat u përball gjatë xhirimeve të filmit horror “28 Years Later”, veçanërisht me skenat ku paraqiten zombi të zhveshur.

68-vjeçari, i rikthyer pas 23 vitesh për të drejtuar vazhdimin e filmit legjendar “28 Days Later”, tregoi se për shkak të pranisë së një fëmije aktor në skenë, duhej të respektoheshin rregulla të rrepta për lakuriqësinë.


“Nuk lejohet askush të jetë lakuriq në skenë kur ka një fëmijë. Kështu që na u desh të përdornim proteza – edhe për organet gjenitale”, tha ai me sinqeritet për People.

Boyle e cilësoi këtë proces si një “makth”, por shtoi se ishte i etur të shtynte kufijtë estetikë të filmit, duke ruajtur intensitetin brutal të horrorit dhe duke e kontrastuar me pafajësinë e personazheve fëmijë.

Filmi i tretë i sagës, me protagonistë Aaron Taylor-Johnson dhe Ralph Fiennes, ka marrë vlerësime shumë pozitive nga kritika.

Rotten Tomatoes e ka renditur me një vlerësim prej 94%, ndërsa The Telegraph dhe The Times e kanë vlerësuar me pesë yje, duke e cilësuar si një ndër filmat më të arrirë post-apokaliptikë të kohëve të fundit.

Boyle shpreson të rikthehet në karrigen e regjisorit për një film të pestë, ndërsa pjesa e katërt, “28 Years Later: The Bone Temple”, me regji të Nia DaCosta dhe pjesëmarrjen e shkurtë të Cillian Murphy, pritet të publikohet në janar 2026.

Me një atmosferë të errët, ndjesi mitike dhe temë njerëzore, filmi ka vendosur një standard të ri për zhanrin horror në kinemanë bashkëkohore. /Telegrafi/