Dallku: Otto John 95 për qind te Prishtina, largohen disa lojtarë të rinj
Prishtina është kthyer në stërvitje, ndërsa para kësaj ka pasur risi në klub, ku janë kthyer disa aksionarët e vjetër dhe është zgjedhur drejtori sportiv i ri. Rrahman Haradini dhe Ismet Begolli, që kishin vite që nuk kontribuonin te Prishtina, janë kthyer në klub, ndërsa drejtor sportiv është zgjedhur djali i këtij të fundit, Granit Begolli. Para stërvitjes ka folur për ueb faqen e klubit, trajneri Armend Dallku, i cili ka zbuluar se transferimi i parë me shumë gjasa do të jetë nigeriani Otto John. “Ne stafi nuk kemi pasur pushim fare dhe kemi insistuar të gjejmë futbollistë përforcues, sidomos në pjesën ofensive aty ku kemi çaluar më së shumti. Pra, kemi kërkuar lojtarin e përshtatshëm jo vetëm në filozofinë tonë të lojës, por edhe që e njeh kampionatin tonë dhe jo të gjejmë dikë që do të na merrte kohë deri në adaptim”.

Ai ka treguar se disa lojtarëve iu ka thënë që do të largohen si: Agon Xhaka, Art Maloku, Ramush Ramadani, Jon Bajgora, Lis Ahmeti. “Kemi biseduar edhe me futbollistët që nuk i kemi në plan, duke i inkurajuar dhe rekomanduar që të gjejnë skuadra tjera ku do të kenë më tepër hapësirë për të luajtur, sepse neve nuk na intereson t’i mbajmë në ekip dhe mos të kenë mundësi loje”.































