Çrregullimet e pubertetit: Puberteti i hershëm dhe i vonuar - diagnoza dhe menaxhimi

Si të njihen në kohë ndryshimet, të kuptohen shkaqet dhe të mbështetet fëmija gjatë pubertetit
Dr. Hafize Rafuna
Endokrinologe Pediatrike
📞 +383 44 265 800
Puberteti është një fazë delikate jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Ndryshimet që ndodhin shumë herët ose shumë vonë nuk duhet të neglizhohen.
Vlerësimi i shpejtë tek endokrinologu pediatrik siguron diagnozë të saktë, trajtim të duhur dhe parandalon komplikimet afatgjata. Prindërit duhet të ndihmojnë fëmijën të ndjehet i sigurt, i kuptuar dhe i mbështetur gjatë kësaj periudhe të rëndësishme.
Çfarë është puberteti dhe kur konsiderohet normal?
Puberteti është një fazë natyrore e zhvillimit, gjatë së cilës trupi i fëmijës nis prodhimin e hormoneve seksuale dhe kalon nëpër një proces transformimi fizik, biologjik dhe emocional drejt maturimit. Kjo periudhë shoqërohet me rritje të përshpejtuar, formimin e karakteristikave seksuale dytësore dhe maturimin gradual të sistemit riprodhues.
▪ Te vajzat, puberteti fillon zakonisht 8-13 vjeç.
▪ Te djemtë, 9–14 vjeç.
Kur shenjat shfaqen shumë më herët ose më vonë se këto kufij, konsiderohet çrregullim i pubertetit.

Çfarë është puberteti i hershëm?
Kjo gjendje përkufizohet si shfaqje e parakohshme e shenjave të zhvillimit seksual, përpara moshës së pritshme fiziologjike për gjininë e fëmijës, dhe diagnostikohet kur:
▪ Gjinjtë te vajzat zhvillohen para moshës 8 vjeç
▪ Testikujt te djemtë zmadhohen para moshës 9 vjeç
Ai mund të paraqitet në dy forma kryesore: qendrore, si pasojë e aktivizimit të parakohshëm të hipofizës (forma më e shpeshtë), dhe periferike, që lidhet me prodhimin e hormoneve nga vezoret, testikujt, gjëndrat mbiveshkore ose tumore hormonale.
Shenjat që prindërit duhet t’i vërejnë
Disa shenja fizike dhe emocionale mund të shfaqen herët dhe janë tregues që prindërit nuk duhet t’i neglizhojnë.
▪ Rritje e shpejtë e trupit
▪ Rritja e gjinjve (vajza)
▪ Zmadhimi i testikujve/penisit (djemtë)
▪ Qime pubike dhe në sqetulla
▪ Aroma trupore si të rriturit
▪ Sekrecione vagjinale te vajzat
▪ Akne, ndryshime emocionale, nervozizëm
Shkaqet e pubertetit të hershëm
Paraqitja e këtyre ndryshimeve mund të lidhet me disa faktorë shëndetësorë ose ndikime nga mjedisi:
▪ Aktivizim i hershëm i boshtit hormonal
▪ Obeziteti
▪ Ekspozimi ndaj hormoneve (kremra, suplemente)
▪ Cista ovariane (vajza)
▪ Sëmundje të mbiveshkoreve
▪ Tumore të trurit (më rrallë)
▪ Në shumë raste - idiopatik, pa shkak të identifikueshëm
A është shqetësues puberteti i hershëm?
Po, sepse shfaqja e parakohshme e ndryshimeve hormonale dhe fizike mund të ketë pasoja të rëndësishme afatshkurtra dhe afatgjata në rritjen, zhvillimin dhe mirëqenien emocionale të fëmijës.
▪ Shtat përfundimtar më të ulët, nga mbyllja e shpejtë e kockave
▪ Vështirësi emocionale dhe sociale
▪ Rritje të rrezikut të hiperseksualizimit te vajzat
Për këtë arsye, rekomandohet vlerësim i hershëm nga endokrinologu pediatrik, për të vendosur diagnozë të saktë dhe për të parandaluar pasojat afatgjata.
Si vendoset diagnoza?
Diagnoza bazohet në kombinimin e të dhënave klinike, laboratorike dhe imazherike.
▪ Ekzaminim fizik dhe vlerësim Tanner
▪ Matura e moshës kockore
▪ Analiza hormonale (LH, FSH, estradiol/testosteron)
▪ Test stimulator me GnRH
▪ Ultratinguj i pelvisit te vajzat
▪ MRI e trurit, sidomos te djemtë dhe te vajzat < 6 vjeç
Si trajtohet puberteti i hershëm?
Forma qendrore trajtohet me analogë të GnRH, që ndalojnë përkohësisht pubertetin. Kjo terapi:
▪ ruan gjatësinë përfundimtare,
▪ ngadalëson zhvillimin seksual,
▪ stabilizon emocionet,
▪ shtyn menarkën deri në moshën fiziologjike.
Forma periferike trajtohet sipas shkakut (p.sh. cista, çrregullim mbiveshkore, tumor).

Çfarë është puberteti i vonuar?
Te disa fëmijë, shenjat e zhvillimit seksual shfaqen më vonë se zakonisht, gjë që mund të ngrejë shqetësime. Kjo gjendje konsiderohet e pranishme kur:
▪ Vajzat nuk kanë zhvillim të gjinjve deri 13 vjeç
▪ Djemtë nuk kanë zmadhim të testikujve deri 14 vjeç
Shkaqet e pubertetit të vonuar
Shfaqja e vonesës mund të jetë pasojë e faktorëve fiziologjikë, ushqimorë, hormonalë ose gjenetikë, ndërsa në disa raste lidhet me sëmundje shoqëruese që ndikojnë në zhvillimin normal:
▪ Vonesë konstitucionale (shumë e shpeshtë, familjare)
▪ Peshë shumë e ulët ose ushqyerje e pamjaftueshme
▪ Sport i tepruar
▪ Sëmundje kronike (celiakia, sëmundje inflamatore)
▪ Çrregullime të hipofizës/hipotalamusit
▪ Sindroma gjenetike (Turner, Klinefelter)
▪ Insuficiencë gonadale
Menaxhimi i pubertetit të vonuar
Qasja ndaj pubertetit të vonuar varet nga shkaku themelor dhe synon të mbështesë zhvillimin normal fizik dhe emocional të fëmijës.
▪ Në vonesë konstitucionale: vëzhgim + mbështetje emocionale
▪ Te djemtë: cikle të shkurtra me testosteron për të nisur pubertetin
▪ Te vajzat: doza të ulëta estrogjeni
▪ Në hipogonadizëm: terapi hormonale afatgjatë
/Telegrafi/







































