LAJMI I FUNDIT:

COVID-19, rreziku i përhapjes dhe një interpretim statistikor…

COVID-19, rreziku i përhapjes dhe një interpretim statistikor…

Dr. Pashko R. Camaj,
Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik

Kohët e fundit, ndoshta si një ndryshim në politikë, këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden, Dr. Anthony Fauci, duke reflektuar një virus që është më pak virulent dhe një pakënaqësi publike me shumë kufizime, deklaroi: “Ky virus nuk do të çrrënjoset dhe nuk do të eliminohet…dhe ajo që do të ndodhë është që ne do të shohim se çdo individi do të duhet të bëjë llogaritjen e tij për sasinë e rrezikut që dëshiron të marrë.”


Komentet e Fauci-t janë në kontrast me shumë paralajmërime të tjera rigoroze që ai kishte lëshuar gjatë fazave të mëparshme të pandemisë që nga fillimi në vitin 2020. Ndryshimi në qasjen e administratës së Biden ka të ngjarë të jetë edhe politik aq edhe shëndetësor: amerikanët janë lodhur nga kufizimet – pothuajse të gjithë tani te shmangura – ndërsa në të njëjtën kohë, imuniteti i nxitur nga vaksina dhe trajtimet e përmirësuara mjekësore po ndihmojnë në mbajtjen e rasteve shumë më pak të rënda.

Në shkrimet e mia të shumta, jam përpjekur të marr vetëm këndin e shëndetit publik dhe të mbaj politikën jashtë, megjithëse herë pas here, kam rënë dakord të mos pajtohem, me politikat e Dr. Fauci, por një gjë është e sigurt, ndërkohë që pandemia COVID-19 mund të jetë afruar fundit, virusi SARS-CoV-2 është këtu për të qëndruar. Shkurtimisht, këto vendime duhet të bazohen në vlerësimet e rrezikut personal, rrezikut të komunitetit dhe rrezikut të ekspozimit – dhe hapave që mund të ndërmarrim për t’i zbutur ato. Rreziku personal i referohet rrezikut të infektimit me Covid nga një individ dhe anëtarët e familjes së tyre. Rreziku i komunitetit janë gjasat aktuale për të hasur Covid midis anëtarëve të komunitetit të dikujt. Dhe rreziku i ekspozimit përbën shanset e shtuara për të kapur Covid në një vend të caktuar bazuar në karakteristikat e rrjedhës së ajrit të vetë hapësirës dhe sjelljes së njerëzve të tjerë.

Si duhet të faktorizojmë rrezikun personal për ashpërsinë e infeksioneve Covid në vendimet tona?

Rreziku i vdekjes nga COVID-19 varet fuqishëm nga mosha dhe kushtet e mëparshme shëndetësore. Pacientët e moshuar dhe ata me sëmundje kronike shoqëruese, si sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, diabeti dhe sëmundjet pulmonare, janë shumë më të prirur ndaj rezultateve kritike dhe fatale të sëmundjeve. Duke përdorur të dhënat nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve te SHBAs (CDC) edhe personat e rritur me vaksina të moshës 50 deri në 64 vjeç kanë më shumë se 10 herë më shumë gjasa të vdesin nga një rast i rëndë se sa moshat 18 deri në 49 vjeç me të njëjtin status vaksinimi.

Hulumtimi i fundit tregon se, në familjet me një person që ishte i infektuar me variantin Omicron (BA-1) të virusit SARS-CoV-2, 43 deri në 64 përqind e njerëzve që jetonin në të njëjtën familje u infektuan gjithashtu, pavarësisht a i vaksinuar plotësisht apo i pavaksinuar. Ne gjithashtu duhet të llogarisim për rreziqet personale të njerëzve me të cilët jetojmë në vlerësimet tona të rrezikut. Në përgjithësi, njerëzit duhet të diskutojnë rrezikun personal të Covid me mjekun e tyre. Por për shkak të këtyre faktorëve, për disa njerëz, edhe çdo sasi e ekspozimit mund të konsiderohet një rrezik i papranueshëm.

Si duhet vlerësuar rreziku i komunitetit?

Rreziku i komunitetit konsiderohet të jetë i lartë kur ka më shumë se 50 raste javore për 100,000 banorë. Të tjerë sugjerojnë një prag rreziku pak më të lartë prej 10 rastesh ditore (ose 70 javore) për 100,000 banorë. Një paralajmërim është se numërimi i përditshëm i rasteve të qyteteve ose qarkut është shpesh një nënnumërim sepse jo të gjithë po testohen dhe shumë rezultate të testeve në shtëpi nuk raportohen gjithmonë. Si zgjidhje, autoritetet përdorin “normën e pozitivitetit të testit” ose “përqindjen pozitive”. Nëse ky numër kalon 5 për qind, konsiderohet gjerësisht si rrezik i lartë për transmetimin në komunitet (me kusht që sasia e testimit në atë zonë të jetë adekuate). Por kampioni i komunitetit i përdorur për të matur pozitivitetin e testit ka të ngjarë të përfshijë shumë njerëz që kërkojnë testim sepse aktualisht po përjetojnë simptoma të Covid. Pra, pozitiviteti i testit është zakonisht më i lartë se shkalla e infeksionit në mesin e njerëzve që mund të hasni në një kafene apo dyqan ushqimore, shumica e të cilëve nuk kanë asnjë simptomë, por mund të jenë ende infektues.

Çfarë dihet për rrezikun e ekspozimit në mjedise të ndryshme, si kafenetë apo kinematë?

Rreziku nga Covid në hapësirat e brendshme ekziston në vazhdimësi. Besohet se zvogëlimi i sasisë së virusit të thithur (d.m.th., dozës së thithjes) i bën infeksionet më pak të mundshme ose sëmundjet më pak të mundshme për të qenë të rënda. Frymëmarrja e rëndë prodhon deri në 10 herë më shumë grimca aerosol që bartin viruse sesa frymëmarrja normale.

Në kinema, ekziston rreziku i ekspozimit nga ata që ulen menjëherë përreth jush, por për shkak të të folurit të kufizuar dhe, zakonisht, të një tavani të lartë, ka shumë më shumë hollim të ajrit. Pra, një teatër i tillë mund të jetë më pak i rrezikshëm sesa ambientet e tjera të brendshme të mbushura me njerëz dhe të zhurmshëm. Sipas këtij arsyetimi, muzetë, shitësit me pakicë dhe dyqanet ushqimore me tavane të larta priren të jenë gjithashtu relativisht më të sigurt. Vendet me ritme të shpejta ajrimi dhe filtrimi – janë gjithashtu me rrezik shumë më të ulët. Hapësirat e brendshme të mbushura me njerëz, si klasat, zyrat dhe baret, duhet të ajrosen me ajër të pastër me ritme që i afrohen 12 shkëmbimeve të ajrit në orë për të reduktuar rreziqet deri në nivelin e një dhome izolimi në një spital tipik. Jo të gjitha vendet kanë burimet për ta bërë këtë, por përfitimet rriten me shkallë më të madhe filtrimi, kështu që sa më afër këtij ideali, aq më mirë. Në vendet me ventilim joadekuat, një pastrues portativ i ajrit të grimcave me efikasitet të lartë (HEPA) – mund të përdoret si mjet zbutës.

Si të krahasoni rrezikun e vdekjes nga Covid me rrezikun e vdekjes nga shkaqe të tjera të lidhura me aktivitetet e zakonshme

Rreziku i Covid-it rritet ndjeshëm me moshën dhe me të qenit i pavaksinuar (përfshirë mungesën e vaksinave kundër virusit). Në pjesën më të madhe, falë vaksinave, imunitetit të shkaktuar nga infeksioni, terapisë, kujdesit më të mirë dhe faktorëve të tjerë, rreziku relativ për të vdekur nga Covid nëse e kapni tani, në përgjithësi, është i krahasueshëm me atë të gripit sezonal. I vetmi ndryshim i madh, sepse keni shumë më shumë gjasa të prekeni nga Covid sesa gripi, rreziku absolut dhe i përgjithshëm për Covid mbetet shumë më i madh.

Si mund të zvogëlohet më tej rreziku i infektimit me Covid nga aktivitetet e përditshme?

Vaksinimi dhe përforcimi i tyre ka treguar se mbron nga vdekja, shtrimi në spital dhe, në një farë mase, kapja dhe përhapja e virusit. Mbajtja e maskave, veçanërisht e tipit N-95, zvogëlon probabilitetin e një infeksioni. Për shembull, rreziku i punonjësve të kujdesit shëndetësor – të infektohen nga pacientët e tyre ndërsa mbajnë një N95 të përshtatshëm është jashtëzakonisht i ulët. Këta respiratorë i afrohen filtrimit të të gjithë virusit, por nuk filtrojnë 100 për qind. Dhe nëse një N95 nuk formon një vulë hermetike me fytyrën tuaj, ai mund të lejojë ajër të pafiltruar në mushkëritë tuaja.

Balancimi i këtyre rreziqeve me përfitimet e shoqërimit dhe të qenit me të tjerët

Një nga faktorët më të rëndësishëm në rrezikun e përgjithshëm të Covid-it është nëse personi pranë jush është i infektuar me virus. Nëse dikush është i vaksinuar dhe i përforcuar, nuk është e paarsyeshme që ai person të vendosë këtë: ndërsa rreziqet për t’u infektuar janë mjaft të larta – por rreziqet për t’u sëmurë ose për të vdekur nga Covid janë mjaft të ulëta – ai do të kthehet në normalitet dhe duke jetuar sikur të ishte para pandemisë.

Ndërsa inkurajojmë vaksinimin për ata që nuk janë vaksinuar dhe përforcues për rritjen e imunitetit tonë të përgjithshëm, veçanërisht ndaj varianteve më të reja të SARS-Cov-2, ne duhet të punojmë për t’i bërë mjediset tona të ndërtuara më të mira në ndalimin e transmetimit të aerosolit. Në fund duhet t’u lihet njerëzve që të bëjnë vlerësimet e tyre të rrezikut dhe të vendosin nëse do të vaksinohen apo do të mbajnë një maskë me cilësi të lartë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori