LAJMI I FUNDIT:

COVID-19: A po shkon Mbretëria e Bashkuar drejt fundit të bllokimit?

COVID-19: A po shkon Mbretëria e Bashkuar drejt fundit të bllokimit?

Kryeministri britanik Boris Johnson do të gjykojë këtë javë se sa shpejt Anglia mund të dalë nga bllokimi i vendosur për shkak të COVID-19 pasi ky vend vaksinoi 15 milionë njerëz të saj më të prekshëm, por ministri i shëndetësisë tha se numri i vdekjeve dhe pranimeve në spital ishte ende shumë i lartë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, me gati një të katërtën e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar tashmë të vaksinuar me një dozë të parë të një vaksine për COVID-19 në pak më shumë se dy muaj, Johnson është nën presion nga disa ligjvënës dhe biznese për të rihapur ekonominë e mbyllur.


“Ne kemi për të parë të dhënat”, tha sekretari i shëndetësisë Matt Hancock për Sky News. “Të gjithë duan të dalin nga kjo sa më shpejt që të mundemi – por të dyja, sa më shpejt por edhe të sigurt, janë të rëndësishme”.

“Pyetja është se sa shpejt dhe në mënyrë të sigurt mund ta bëjmë atë. Ky është gjykimi që ne po bëjmë këtë javë, duke parë të dhënat, përpara se Kryeministri të përcaktojë udhërrëfyesin, më datën 22″, ka thënë ai.

Përhapja më e madhe dhe më e shpejtë e vaksinave globale në histori shihet si shansi më i mirë për të dalë nga pandemia COVID-19 e cila ka vrarë 2.4 milionë njerëz, e futi ekonominë globale në rënien e saj më të keqe në kohë paqeje që nga Depresioni i Madh.

Britania ka vaksinuar 15.062 milionë njerëz me një dozë të parë dhe 537,715 me një dozë të dytë, si dhe ka bërë shpërndarjen më të shpejtë për frymë të çdo vendi të madh.

Gjithashtu Hancock ka thënë se ai priste që furnizimet e vaksinave të rriteshin ndërsa prodhimi përshpejtohej. /Telegrafi/