Sipas tij, çdo zyrtar nga shteti fqinj, i cili do të vijë në Kosovë dhe atë vizitë do ta shfrytëzojë për mitingje politike, do të ndëshkohet me mos aprovimin e vizitës kur ai do të kërkojë sërish ta vizitojë Kosovën, siç është vepruar në rastin e Vulinit.

Lidhur me vizitën e djeshme të Vucicit e Vulinit në veri, Çollaku tha se ata kanë pasur lejen e organeve shtetërore të Republikës së Kosovës.


"Jo vetëm dje, por çdo zyrtar i Serbisë mund të futet në Kosovë vetëm me lejen e Republikës së Kosovës dhe atëherë kur i përmbushë kërkesat tona. Asnjë leje nuk do t’i jepet asnjë zyrtari të Serbisë, që për qëllim parësor do ta kenë realizimin dhe pjesëmarrjen në fushata dhe mitingjeve elektorale. Serbia nuk mund dhe nuk do të organizojë zgjedhjet e veta në Kosovë. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm në Serbi. Ju e dini rastin e Vulinit, i cili ka keqpërdor një vizitë të tillë dhe për këtë është ndëshkuar. Besojmë se ata do ta përsërisin gabimin e njëjtë dy herë”, tha Çollaku, për RTK-në.

Sipas tij, këto zgjedhje që mbahen tani në Serbi, dallohen me ato të vitit 2012.

“Atëherë ka pasur qendra të votimit të cilat OSBE-ja i ka mbikëqyrë, kurse tani kemi vetëm qendra të grumbullimit të votave. Numri i tyre në 2012-ën ka qenë shumë më i madh, kurse tani jemi përkujdesur që të kemi një numër shumë më të vogël të qendrave grumbulluese, ndërkaq materiali i grumbulluar do të dërgohet nga OSBE-ja për në Serbi. Nuk do të ketë vendnumërim të votave", tha Çollaku.

Ai i ka thënë RTK-së se institucionet e Republikës së Kosovës janë përkujdesur që çdo qytetari serb t`ia mundësojnë votimin për zgjedhjet e 16 marsit, përderisa OSBE-ja tanimë ka pranuar që edhe në këto zgjedhje të ketë rolin e lehtësuesit dhe teknikisht të bëjë bartjen e fletëvotimeve në shtetin e Serbisë. /RTK/Telegrafi/