Cole Palmer ka mbetur i mahnitur nga dy transferimet e verës së Chelseat

Cole Palmer ka theksuar se Chelsea është i detyruar të synojë trofetë këtë sezon, duke u shprehur i mahnitur nga transferimet e reja në skuadër dhe përparimi i bërë nën drejtimin e Enzo Marescas.
Mbretërimi i trajnerit italian në Stamford Bridge rrezikoi të përfundonte në mesin e sezonit të kaluar, por ish-ndihmësi i Pep Guardiolës arriti ta ringjallte skuadrën.
Chelsea siguroi një vend në Ligën e Kampionëve në javën e fundit dhe fitoi Ligën e Konferencës, duke mundur Real Betisin 4-1 në finale.
Suksesi u kurorëzua më pas me triumfin në Kupën e Botës për Klube, ku “Blutë” mposhtën gjigantë si PSG, Real Madrid dhe Bayern Munich.
Sezoni i ri i Ligës Premier (2025/26) nisi me një barazim pa gola ndaj Crystal Palace, ndërsa skuadra ende duket se ka nevojë për kohë për të marrë ritmin, pas një parasezoni të shkurtuar nga pjesëmarrja në Botërorin e Klubeve.
I pyetur nga NBC Sports nëse Chelsea është nën më shumë presion pas arritjeve të mëdha, Palmer u shpreh: “Po, padyshim. Për shkak të drejtimit që ka marrë klubi dhe gjithë entuziazmit që ekziston, ne duhet të fitojmë trofe.”
Për të arritur këtë objektiv, Chelsea ka investuar edhe 300 milionë euro këtë verë, duke sjellë emra të rinj si Joao Pedro, Jorrel Hato, Jamie Gittens dhe Liam Delap.
Palmer ka lavdëruar veçanërisht Pedron, i cili u transferua nga Brighton për 60 milionë euro dhe shkëlqeu në Kupën e Botës për Klube: “Ai është një djalë shumë i mirë. Më pëlqen të luaj me të dhe kemi kimi të shkëlqyer edhe në stërvitje,” deklaroi mesfushori ofensiv.
Palmer ka besim edhe te Delap, për të cilin Chelsea aktivizoi klauzolën prej 30 milionë paund nga Ipswich Town. Sulmuesi i ri pritet të konkurrojë me Pedron për një vend titullari, por Palmer mendon se ka hapësirë që të dy të luajnë bashkë në formacion. /Telegrafi/












































