Lajmi për tërheqjen e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga shteti i Surinamit, bëri bujë të madhe në të gjitha mediat kosovare.

Ndonëse, institucionet e Kosovës nuk kanë pranuar asnjë dokument zyrtar për këtë, zëvendëskryeministri dhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, publikoi dokumentin e tërheqjes së njohjes nga shteti i Surinamit.


Letra i drejtohet misionit të Serbisë në këtë organizatë dhe në të thuhet se Surinami ka vendosur ta çnjohë Kosovën dhe të përtërijë marrëdhëniet me Serbinë.

Shefi i zyrës për informim në Qeverinë e Kosovës, Halil Matoshi, ka thënë për Telegrafin se MPJ-ja dhe të gjithë aleatët strategjik të Kosovës janë duke u marrë me këtë çështje.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë kurrfarë shkrese zyrtare nga Surinami për revokim të njohjes. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës dhe diplomatët kosovar në New York, Panama dhe Ankara, janë në këshillime intensive me aleatët strategjik të Kosovës, duke e trajtuar këtë çështje me prioritet”, ka thënë Matoshi.

Ai ka shtuar se Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Të njëjtën gjë e ka deklaruar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, i cili tha se “mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”.

Kujtojmë se as nga Qeveria e Surinamit një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tash. /Telegrafi/