LAJMI I FUNDIT:

Çka është shtypja normale e gjakut dhe çka shtypja e lartë e gjakut?

Çka është shtypja normale e gjakut dhe çka shtypja e lartë e gjakut?

Dr. Gëzim Berisha
Kardiolog
tel. 044 600 697

Shtypja e gjakut është forca që e përdor zemra për ta pompuar gjakun në tërë organizmin tonë. Zemra vazhdimisht punon duke u tkurrur dhe duke u relaksuar për ta hedhur dhe përplasur gjakun në arteriet e trupit tonë. Kjo forcë e përplasjes së gjakut për murin e damarëve të gjakut quhet shtypje e gjakut.


Shtypja e gjakut matet me mmHg dhe paraqitet me dy numra, p.sh., gjatë matjes së shtypjes mund të themi se kemi regjistruan shtypjen 120/80mmHg. Numri i parë, më i madh quhet shtypje sistolike që paraqet shtypjen e regjistruar në momentin kur zemra kontraktohet, ndërsa numri i dytë më i vogël quhet shtypja diastolike që tregon shtypjen e gjakut kur zemra relaksohet.

Ndërsa hipertensioni është një gjendje serioze shëndetësore kur shtypja e gjakut në mënyrë të vazhdueshme është më e lartë se sa që do të duhej të ishte pra mbi 140 me 90. Po themi në mënyrë të vazhdueshme sepse në situata të ndryshme si gjendje stresi, ngarkesë fizike, mërzie, në gjendje aktiviteti fizik, etj., është normale që shtypja të jetë mbi 140 me 90. Në këto gjendje shtypja e lartë është momentale dhe nuk mjekohet.

Sa e përhapur është shtypja e lartë e gjakut?

Hipertensioni arterial është sëmundja kronike më e përhapur në botë, normalisht edhe në Kosovë. Më shume se një miliard njerëz janë të diagnostikuar me këtë sëmundje, pra çdo i gjashti njeri gjatë jetës së tij do të diagnostikohet me HTA.

Cilat janë simptomat e hipertensionit arterial (shtypjes së lartë të gjakut)?

Shtypja e lartë e gjakut te shumica e pacientëve është një gjendje e heshtur e cila nuk shkakton ndonjë simptomë. Por, përkundër kësaj ajo mund të bëjë dëme të mëdha në organizëm. Shtypja e lartë e gjakut njihet edhe si vrasës i heshtur sepse shpesh herë diagnostikohet vonë kur janë bërë dëme të mëdha në organizëm siç janë gjakderdhja në tru ose infarkti në zemër. Për këtë arsye është e rekomandueshme që shtypja e gjakut të matet në periudha të rregullta kohore.

Mirëpo te disa pacientë e sidomos te ata me hipertension shumë të lartë, mund të paraqiten simptoma të ndryshme të si psh: kokëdhimbje, marramendje, gjakderdhje nga hunda, dhimbje gjoksi, lodhje, dëmtim i të pamurit, mpirje e duarve e të këmbëve etj.

Këto simptoma nuk janë asnjëra tipike apo karakteristike për shtypje të lartë të gjakut, por prezenca e tyre shfaq nevojën për ekzaminim mjekësor në përgjithësi, ekzaminim kardiovaskular dhe matje të shtypjes së gjakut në veçanti.

Cilët janë shkaktarët e shtypjes së lartë të gjakut?

Varësisht nga shkaktarët, hipertensioni tradicionalisht ndahet në dy grupe, primare dhe sekondare.

Te hipertensioni primar nuk kemi një shkaktar të njohur që direkt shkakton shtypjen e lartë të gjakut, por këtu fajësohen disa faktor të njohur si faktor risku për HTA. Në këtë grup bëjnë pjesë rreth 85% e pacientëve. Faktor të tillë risku me kontribut të fuqishëm në shfaqjen e hipertensionit janë:

Stresi sepse e rrit adrenalinën e cila e rrit frekuencën dhe forcën kontrahuese të zemrës duke e rritur vet shtypjen e gjakut.

Trashëgimia (faktori gjenetik) do të thotë se kush ka anëtarë të familjes me HTA, gjasat i ka më të mëdha që edhe ai të preket nga kjo sëmundje. Në familje të caktuara HTA është shumë më prezent se sa në familje tjera.

Mosha, sepse me rritjen e saj rriten gjasat për t’u shfaqur kjo sëmundje, edhe pse HTA nuk kursen asnjë moshë.

Mbipesha është një gjendje e përshtatshme ku lindin shumë sëmundje në mesin e tyre edhe HTA.

Pastaj faktor të tjerë rreziku për shfaqjen e shtypjes së lartë të gjakut janë edhe konsumimi i shumtë i kripës, duhani, yndyrat e larta në gjak, barnat e ndryshme që përdoren për trajtimin e sëmundjeve tjera, etj.

Nuk do të thotë që dikush që ka faktor të tillë risku domosdo të preket nga HTA, por sa më shumë faktor të tillë të riskut të ketë dikush, aq më të mëdha janë gjasat që te ai të shfaqet edhe shtypja e lartë e gjakut.

Ndërsa, te hipertensioni sekondar, ka disa shkaktarë që direkt janë fajtor për paraqitjen e shtypjes së lartë të gjakut. Këtu bëjnë pjesë sëmundjet e veshkave, sëmundjet e gjëndrës mbiveshkore, problemet me gjëndrën tiroide, apnea e gjumit, barnat e ndryshme që përdoren për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, hormonet gjinore, substancat narkotike etj.

Cilat janë komplikimet e shtypjes së lartë të gjakut?

Shtypja e lartë e gjakut është një gjendje shëndetësore e rrezikshme që dëmton zemrën në veçanti, por edhe shumë organe të tjera në përgjithësi. Në shumicën e rasteve efektet negative të shtypjes së lartë të gjakut paraqiten disa vite pas diagnostikimit të kësaj sëmundje.

Komplikimet e shtypjes së gjakut kryesisht ndodhin për shkak të dëmtimit të shtresës së brendshme të mureve të enëve të gjakut nga përplasja e fuqishme e gjakut në këto mure që ndodh të pacientët me shtypje të lartë. Dhe, varësisht se arteriet e cilit organ dëmtohen aty, shfaqen edhe komplikimet.

Shtypja e lartë e gjakut e pakontrolluar mirë nga medikamentet mund të shkaktojë shumë dëme në organizmin e njeriut, si psh:

Infarkt të miokardit (sulmi në zemër)
Sulm në tru
Pamjaftueshmëri të zemrës (insuficienca kardiake)
Sëmundje të veshkave
Dëmtimi të të pamurit
Sëmundje të arterieve periferike
Disfunksion seksual, etj.

Si bëhet trajtimi i shtypjes së lartë të gjakut?

Trajtimi i shtypjes së lartë të gjakut mbështet në dy shtylla: trajtimi farmakologjik ose me barna dhe trajtimi jo farmakologjik ose pa barna.

Trajtimi jo farmakologjik përfshinë një sërë masash që merren për të krijuar një stil jete të shëndetshme që nuk favorizon lindjen e shtypjes së lartë të gjakut. Me një stil jete të shëndoshë ju mund ta ulni shtypjen deri në atë masë sa t’i evitoni barnat, të vononi fillimin e terapisë farmakologjike ose ta ulni numrin e barnave antihipertensive që përdorni.

Veprime të tilla jo farmakologjike janë: aktiviteti fizik i përditshëm, humbja në peshë, ulja e konsumimit të kripës, mos konsumimi i alkoolit, menaxhimi i stresit kronik, mos konsumimi i duhanit, meditimi etj.

Nëse veprimet e lartcekura nuk janë të mjaftueshme për uljen e shtypjes së gjakut nën vlerat e dëshiruara prej 140/90 mmHg, atëherë trajtimi i shtypjes së lartë bëhet me barna të ndryshme që sot ka një numër të madh syresh nga ato me të dobëta deri te ato shumë potente. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori