Çitaku reagon pas konferencës së Kurtit: Tashmë populli e di kush je dhe çfarë sjell qeverisja jote

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të bëra gjatë një konference për media pas dështimit për formimin e Qeverisë së re.
Në reagimin e saj, Çitaku ka kritikuar Kurtin për, siç tha, “shndërrimin e shtetit në skenë teatri”, duke theksuar se Kosova po përballet me izolim ndërkombëtar, sanksione dhe krizë ekonomike, ndërsa Kurti merret me spektakle politike.
“Konferenca e sotme për shtyp, që duhej të mbahej në selinë e Vetëvendosjes e jo në ndërtesën e Qeverisë, do të ishte material i mirë për komedi sikur Kosova të mos ishte në gjendjen e rëndë ku ndodhet sot. Për nëntë muaj me radhë, A.K. na ka thënë se i ka numrat. Sot, me nënqeshje ironike, pranoi se i paska pasur ‘verës’, me votim të fshehtë, por tani nuk i paska më”, ka shkruar ajo.
Çitaku shtoi se gjatë pesë viteve të qeverisjes së Kurtit, vendi është përballur me “izolim, varfërim dhe ikje masive të qytetarëve”.
“Njeriu që nuk ka lënë vlerë pa nëpërkëmbur e njeri pa fyer, sot fliste sërish për nevojën që ai të fitojë ‘referendumin’, jo zgjedhjet. Sepse për të, qeverisja ka kuptim vetëm nëse sundon i vetëm. Populli e di tashmë kush është dhe çfarë sjell qeverisja e tij”, ka përfunduar Çitaku.


















































