Cila pallto ju rri më bukur? Moda jep rregullat e arta sipas formës së trupit

Zbuloni modelin që hollon belin, fsheh ijët dhe thekson elegancën - pa bërë asnjë gabim në zgjedhje
Palltot me rrip dhe me vijë të lehtë V u përshtaten femrave me gjoks më të madh ose me bel më të gjerë, duke theksuar një siluetë më femërore. Ndërsa palltot me shpatulla të theksuara ose ato me prerje A balancojnë trupin për gratë me ije më të gjera, duke nxjerrë në pah pjesën e sipërme të trupit.
Pse zgjedhja e modelit të duhur është kaq e rëndësishme
Pavarësisht nëse keni ije të gjera, gjoks të plotë apo një trup atleteje, ekziston një pallto e përshtatshme pikërisht për ju që i rri më bukur siluetës suaj. Palltoja që qëndron mirë përmbyll çdo kombinim veshjeje, por zgjedhja e modelit të gabuar mund ta prishë të gjithë pamjen.
Ja si të zgjidhni modelin ideal, transmeton Telegrafi.
Nëse keni gjoks të vogël

Nëse dëshironi të “fshihni” vizualisht një gjoks më të vogël, zgjidhja më e mirë është klasiku i përjetshëm - trench palltoja. Falë jakës së palosur dhe mbylljes me dy rreshta kopësesh, vëmendja largohet në mënyrë të natyrshme nga zona e gjoksit. Si këshillë shtesë, mund të mbani një çantë me doreza të shkurtra që qëndron në nivel të gjoksit.
Nëse keni gjoks të madh ose bel më të gjerë

Për gjoks më të madh ose bel më të gjerë idealja është palltoja me rrip. Palltot në stil rrobë-banjo me V-linjë të lehtë e zgjatë figurën dhe mbulojnë bukur gjoksin e madh. Prerja e tyre e thjeshtë me rrip të integruar në bel e thekson siluetën, ndërsa lidhja në mes krijon efektin e një forme më të hollë dhe më femërore. Si këshillë shtesë, zonjat me gjoks të madh duhet të mbajnë çantën në dorë ose me rrip të gjatë, kurrsesi në nivel të gjoksit, që të mos e theksojnë edhe më shumë.
Nëse keni ije të gjera

Ijët e gjera maskohen më së miri me pallto me shpatulla të theksuara ose me prerje A. Që silueta të duket e balancuar, duhet baraspeshuar pjesa e sipërme me të poshtmen. Palltot me shpatulla të theksuara e tërheqin vëmendjen te shpatullat dhe pjesa e sipërme, duke i bërë ijët të duken më të ngushta. Nëse palltot me shpatulla të theksuara ju duken shumë “stil i viteve ’80”, zgjidhni prerjen A, falë zgjerimit të lehtë poshtë, ajo mbulon mjeshtërisht çdo parregullsi të zonës së ijëve. Këshilla shtesë: zonjat me ije të gjera duhet të theksojnë pjesën e sipërme dhe fytyrën me detaje të dukshme.
Nëse keni trup atleteje

Figura atletike preferon palltot me prerje të gjerë. Për trupat e bukur, palltot me prerje të lirshme janë idealë. Modelet si puf palltot ose teddy palltot zakonisht vijnë në këtë stil modern dhe i japin trupit volum, qëndrim dhe karakter. Këshillë shtesë: një çantë interesante me shumë shtresa i jep trupit dinamizëm, të cilin ndoshta nuk e keni për shkak të siluetës së drejtë.
Mos harroni gjatësinë e palltos

Duhet kushtuar vëmendje edhe gjatësisë së palltos. Gabimet nuk ndodhin vetëm te prerja, por edhe te gjatësia. Gratë e gjata duken më bukur me pallto të gjata, ndërsa modelet më të shkurtra e zgjasin vizualisht figurën e shkurtër dhe i japin trupit një pamje më të balancuar. /Telegrafi/







































