LAJMI I FUNDIT:

Cikatrikset, vragat, shenjat

Cikatrikset, vragat, shenjat

Paraqitja e një cikatriksi është pasojë procesit të ndërlikuar të mbylljes së një plage. Cikatriksi – vraga, paraqitet si pasojë e një intervenimi kirurgjik, apo nga aksidentet e ndryshme si dhe nga djegiet e thella.

Prof. Ass. dr. Violeta Zatriqi
kirurge plastike–estetike
tel. 044 136 976

Ekzistojnë shumë faktorë që shkaktojnë paraqitjen e cikatriksit si, mbyllja e vonuar e një plage, infeksioni, predispozitat gjenetike, predispozitat familjare, etj. Secili faktor që zgjatë procesin e mbylljes së një plage, mund të jetë shkaktar potencial i paraqitjes së cikatriksit.

Cikatriksi pos defektit estetik, shkakton edhe pengesa funksionale, tkurrje – kontrakturë të lëkurës si dhe deformitete. Ato janë të ndjeshme në lëndime, andaj shpesh gjakosen dhe shumë shpesh, kruhen dhe shkaktojnë shqetësim për pacientin.

Cikatrikset, pavarësisht lokalizimit të tyre shkaktojnë shëmtim mjaft shqetësuese për një person. Kjo njëherazi shkakton stres psikik për personin, sepse prezenca e cikatriksit çdo herë do t’i rikujtojë ndodhinë e cila ka shkaktuar atë.

Cikatrikset ndyshojnë për nga përbërja, madhësia, ngjyra dhe pamja. Dallojmë tre lloje të cikatrikseve:

Cikatrikset hipertrofike – janë zakonisht pasojë e lëndimeve retikulare të vermisit. Karakterizohen me masë të indeve të kuqe që përmbajnë sasi më të madhe të fijeve kolagjene të cilat mbesin në kufij të buzëve të plagës. Mund të paraqiten kudo në trup, predominojnë tek adoleshentët dhe tek personat me ngjyrë më të errët të lëkurës.

Kelloidet – dallon nga cikatriksi hypertrofik, sepse përmban pllaka të fijeve kolagjene të cilat kalojnë buzët e plagës. Kelloidet mund të quhen edhe si tumore beninje, sepse ato mund të paraqiten edhe në regjionet në të cilat nuk ka pasë paraprakisht asnjë lëndim-dmth në lëkurë të shëndoshë. Kelloidet janë më të rralla se cikatrikset hypertrofike. Kelloidet kanë predispozitë familjare të madhe, janë më të shpeshta tek raca e zezë dhe tek gjinia femërore; zakonisht paraqitet tek moshat 10-30 vjeçare, derisa tek moshat tjera më rrallë.

Cikatrikse lineare të gjëra – janë më të buta, më të gjera dhe zakonisht kanë më pak presion rreth indeve përreth. Kjo paraqitet si pasojë e tensionit dhe tërheqjes permanente në buzët e plagës, e cila është duke u mbyllur.

Mjekimi i cikatrikseve

Në shumicën e rasteve, menjëherë pasiqë është mbyllur apo është mjekuar plaga e djegies, fillojmë me prevenimin e cikatriksit apo në rastet kur është paraqitur cikatriksi fillojmë me metodat jokirurgjike, si më poshtë:

1. Mjekimi jo kirurgjik 

a. rrezatimi
b. terapia kompresive
c. mjekimi me rrymë galvanike
d. kortikosteroide
e. antihistaminikët,
f. yndyrë me përmbajte të silikonit dhe pllaka të silikonit
g. medikamente antineoplastike
h. vitaminë C

2. Mjekimi kirurgjik

Në rastet kur pacienti nuk është i kënaqur me mjekimin konservativ të cikatriksit, atëherë përmes intervenimi kirurgjik tentohet të korrigjohet cikatriksi, si në aspektin estetik edhe në atë funksional.

Varësisht nga madhësia e cikatriksit dhe nga vendlokalizimi i tij, ekzistojnë disa teknika operative të cilat mundësojnë eliminimin, si, ekcizione eliptike, Z plastika, W- plastika, V-Y plastika, ekspanderet indore. Por, duhet cekur se largimi në tërësi i kelloidit nuk preferohet, sepse mund të ndodhë që ai sërish të përsëritet, e në disa raste edhe të paraqitet më e madhe, ndërsa kur cikatrikset janë të lokalizuara në nyje ku shkaktojnë edhe kontrakturë, aty mund të përdorim edhe grafte të lira lëkurore duke përmirësuar, së pari deformitetin funksional, e më pak atë estetik.

Metodat kirurgjike në operimin e cikatrikseve kombinohen në disa raste edhe me kortikosterode, rrezatime e metoda tjera.

Me intervenim kirurgjik vjen deri te përmirësimi funksional dhe estetik i cikatriksit. Mirëpo, ekziston mundësia që në disa raste cikatrisi nuk ka mundësi të mënjanohet në tërësi, por ka mundësi që të përmirësohet në aspektin se ajo nuk do të jetë dukshëm i theksuar. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Ngritja e bilirubinës në gjak: Çfarë do të thotë dhe si ndihmohet?

Shëndetësi
Kalo në kategori