Javier "Chicharito" Hernandez ka tërhequr vëmendjen e mediave — këtë herë jo për performancën në fushë, por për komente të debatueshme jashtë saj.

Ylli meksikan është gjobitur dhe paralajmëruar zyrtarisht nga Federata Meksikane e Futbollit (FMF), pasi kjo e fundit hapi një hetim për një seri videosh të publikuara në internet, të cilat konsiderohen seksiste.


Ish-sulmuesi i Manchester United dhe Real Madridit u përball me kritika të ashpra gjatë fundjavës, pasi në një video në TikTok sugjeroi që gratë duhet t’u rikthehen roleve tradicionale të përqendruara te “lindja e fëmijëve, pastrimi dhe mirëmbajtja e shtëpisë”.

Reagimet negative nuk vonuan. FMF reagoi të mërkurën, duke deklaruar se komentet e Chicharitos “promovuan stereotipe seksiste”, çka bëri që Komiteti për Gjininë dhe Diversitetin të ndërhynte.

Si rezultat, futbollisti u gjobit dhe mori një paralajmërim zyrtar nga autoritetet e futbollit meksikan — një masë që synon të dërgojë një mesazh të qartë për sjelljet diskriminuese.

Ndërkohë, klubi i tij aktual, Guadalajara, u distancua nga deklaratat, duke theksuar në një komunikatë zyrtare se qëndrimet e shprehura janë personale dhe nuk përfaqësojnë vlerat apo filozofinë e klubit. /Telegrafi/

telegrafi sport app