Chelsea e bën prioritet yllin e Real Madridit, gati ofertën marramendëse prej 80 milionë eurove

Chelsea ka nisur të monitorojë nga afër një sulmues të Real Madridit. Blutë nënshkruan verën e kaluar me Liam Delap dhe Joao Pedro, por rendimenti i të dyve nuk ka qenë në nivelin e pritur.
Në 30 paraqitje në të gjitha garat, Pedro ka realizuar 9 gola, ndërsa Delap ka zhvilluar 19 ndeshje dhe ka shënuar vetëm dy herë. Pikërisht për këtë arsye, Chelsea po kërkon një sulmues më produktiv dhe tashmë ka hedhur sytë nga një lojtar i Real Madridit.
Megjithatë, lojtari në fjalë nuk do ta përfundojë këtë sezon në "Santiago Bernabeu". Blutë janë të interesuar për nënshkrimin e Endrick dhe raportohet se janë gati të bëjnë një ofertë të madhe për ta mbyllur marrëveshjen.
Sipas "Fichajes", Chelsea do të ishte e gatshme të shpenzojë afër 80 milionë euro për të siguruar firmën e brazilianit. Endrick aktualisht është i huazuar te Lyoni dhe ka lënë menjëherë gjurmë me paraqitjet e tij.
Paraqitjet e tij në Francë kanë tërhequr vëmendjen në mbarë Evropën dhe kanë rindezur diskutimet për të ardhmen e tij afatgjatë. Te Real Madridi, sulmuesi i ri kishte vështirësi të gjente minuta të rregullta.

Konkurrenca për një vend titullari ishte shumë e fortë, për shkak të pranisë së emrave si Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior, çka e bënte të vështirë për të të siguronte hapësirë loje.
Tani, situata ka ndryshuar tërësisht. Endrick po shkëlqen te Lyoni. Në vetëm tre ndeshje, ai ka shënuar katër gola dhe ka dhënë një asistim.
Ai arriti gjithashtu të realizojë një hat-trick ndaj Metz, duke e bindur Chelsean se kjo është një mundësi reale për ta sjellë atë në Stamford Bridge.
Megjithatë, Real Madridi nuk është nën presion për ta shitur. Endrick ka kontratë deri në vitin 2030 dhe gjigantët spanjollë vazhdojnë ta shohin atë si një lojtar me potencial shumë të madh.
Çdo vendim për shitje do të ishte strategjik dhe jo i detyruar. Pikërisht këtu hyn në lojë shifra prej 80 milionë eurosh.
Tashmë, gjithçka varet nga fakti nëse Real Madridi do të jetë i gatshëm të dëgjojë ofertat dhe nëse Chelsea do të shkojë deri në fund me një ofertë konkrete./Telegrafi




















































