Çfarë është një amerikan?

Nga: Vivek Ramaswamy / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Aktualisht po shfaqen dy vizione të kundërta në të djathtën amerikane, dhe ato janë të papajtueshme. Një vizion i identitetit amerikan bazohet në prejardhje, gjak dhe tokë: Tiparet e trashëguara janë ato që kanë më shumë rëndësi. Forma më e pastër e një amerikani është i ashtuquajturi “amerikan me trashëgimi” - dikush që prejardhjen e ka që nga themelimi i Shteteve të Bashkuara ose më herët.
Ky këndvështrim tani po përhapet nga e djathta Groyper, një lëvizje në internet që po ngrihet me shpejtësi dhe që argumenton për krijimin e një identiteti të përqendruar rreth të bardhëve. Ky është një reagim i parashikueshëm - reagim të cilin e parashikova në librin tim të vitit 2022, Kombi i viktimave - ndaj diskriminimit të të bardhëve gjatë pesë vjetëve të fundit, dhe nuk është më mendim i skajshëm.
Alternativa (dhe sipas mendimit tim, vizioni i saktë), për identitetin amerikan, bazohet në ideale.
Të qenit amerikan nuk është cilësi me nivele që ndryshon në varësi të prejardhjes. Është binare: Ose je amerikan, ose nuk je. Je amerikan nëse beson në sundimin e ligjit, në lirinë e ndërgjegjes dhe të shprehjes, në meritokracinë pa dallim ngjyrash, në Kushtetutën e ShBA-së, në ëndrrën amerikane, dhe nëse je një qytetar që i betohesh për besnikëri vetëm këtij kombi.
Siç ka thënë me humor Ronald Reagan, mund të shkosh të jetosh në Francë, por nuk mund të bëhesh francez; por kushdo nga çdo cep i botës mund të vijë në Shtetet e Bashkuara dhe të bëhet amerikan. Pavarësisht prejardhjes, nëse pret radhën dhe merr shtetësinë, je po aq amerikan sa një pasardhës mejflauer [102 udhëtarët që arritën më 1620], për sa kohë që beson në idealet e themelimit të Amerikës dhe kulturën që lindi prej tyre. Kjo është ajo që e bën të mundur veçantinë amerikane.
Përçarja mes këtyre dy vizioneve është më me rëndësi sesa ndarjet politike midis republikanëve dhe demokratëve. Republikanët më të vjetër të cilët mund të dyshojnë për përhapjen e vizionit “gjak dhe tokë”, duhet të mendojnë sërish. Rrjetet e mia sociale janë mbushur me qindra fyerje, shumica nga llogaritë që nuk i njoh, me sharje si “pajeets” dhe “street shitters” [terma fyes për ata me origjinë hinduse] dhe thirrje për të më deportuar “mbrapsht në Indi” (kam lindur dhe jam rritur në Sinsinati dhe nuk kam jetuar kurrë jashtë ShBA-së).
Deklaratat antisemitike tani janë normalizuar në internet, dhe kjo nuk kufizohet vetëm në rrjete. Rod Dreher, një autor konservator, së fundmi përshkroi një udhëtim në Uashington ku vlerësoi se një pakicë e konsiderueshme e stafit republikan të brezit Z janë adhurues të Nick Fuentesit.
Kjo lëvizje e re e së djathtës në internet nuk përfaqëson qëndrimet e shumicës së votuesve republikanë në botën reale - kuptojeni këtë nga një bir emigrantësh indianë që kryeson sondazhet në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane në Ohajo, për guvernator. Por, si një nga kundërshtarët më të zëshëm të politikës së identitetit të majtë, tani shoh një hezitim të vërtetë nga ish-bashkëluftëtarët e mi anti-zgjim [woke] për të kritikuar politikën e re të identitetit të djathtë.
Ky model pasqyron në mënyrë shqetësuese hezitimin e demokratëve të shquar për të kritikuar tepricat e zgjim-it në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, edhe pse shumica e votuesve demokratë në mënyrë të qartë nuk kanë besuar kurrë se matematika është raciste, apo se puna e palodhur dhe tradita e shkruar janë tipare të bardhësisë. Kjo është një nga arsyet kryesore pse Kamala Harris dështoi në mënyrë spektakolare. Nëse Partia Republikane pas-Trump bën të njëjtin gabim me krahun tonë identitar, do të pësojmë një fat të ngjashëm.
Të rinjtë shpesh janë tregues të hershëm të drejtimit të erërave politike, dhe natyra e problemit të brezave është e jashtëzakonshme. Shumë votues nën 30 vjeç besojnë se nuk do të kenë kurrë mundësi të blejnë një shtëpi. Ata shpesh janë të zhytur në borxhe për shkollimin, dhe nëse nuk ndodhin disa ndërhyrje të forta politike, sigurimet shoqërore ndoshta do të shkurtohen para se ata të përfitojnë. Është e kuptueshme se janë të zhgënjyer për këtë.
Ndjenja e tyre në rritje për pasiguri ekonomike bashkohet me një ankth të përmbajtur psikologjik. Depresioni dhe ankthi janë më të përhapur te gjenerata Z sesa brezat e mëparshëm amerikanë. Në mungesë të një identiteti të përbashkët kombëtar, ata po kthehen drejt tribalizmit dhe viktimizimit - grojperizmi i djathtë, socializmi i majtë i ushqyer nga Zohran Mamdani.
Pra, cila është zgjidhja? Duhet të imagjinojmë një ëndërr të re amerikane që ofron fuqizim ekonomik dhe njëkohësisht plotëson etjen e brezit të ri për qëllim dhe përkatësi. Për ta arritur këtë vizion, duhet të përmbushen katër kushte.
Së pari, udhëheqësit konservatorë duhet të dënojnë - pa hezitim - shkeljet e grojperëve. Nëse, si z. Fuentes, ti mendon se Hitleri ishte “shumë i lezetshëm” ose nëse e quan publikisht Usha Vancein një “xhit”, atëherë nuk ke vend në lëvizjen konservatore, pikë. Qëllimi nuk është të dramatizojmë, por të parandalojmë legjitimizimin gradual të kësaj armiqësie jo-amerikane. Kjo sjellje provokuese internet më kujton fëmijët që testojnë kufijtë e prindërve: Detyra e një udhëheqësi të vërtetë republikan është të vendosë kufij të qartë për ndjekësit e rinj, si një baba i mirë për një bir që e tepron.
Kjo nuk do të thotë censurë; do të thotë qartësi morale në vend të përkëdheljes. Në debatet politike, dritarja e Overtonit duhet të mbetet e gjerë. Është e pranueshme që e djathta të kritikojë ndihmën amerikane për Izraelin ose vizat për emigrantë, por është plotësisht e papranueshme të helmosh fjalorin kundër hebrenjve, indianëve apo ndonjë grupi tjetër etnik. Duhet të zbatojmë atë që predikojmë: Kundërshtarja ime aktuale demokrate në Ohajo është një grua hebreje, dhe ndonëse kritikoj pa mëshirë politikën e saj, do të jem mbrojtësi i saj më i zëshëm kundër sulmeve antisemite nga e majta apo e djathta.
Së dyti, ulini kostot e jetesës. Shtetet mund të sjellin rezultate të shpejta. Uleni çmimin e shtëpive duke hequr kufizimet vendore për përdorimin e tokës për të rritur ofertën për strehim. Ulini taksat mbi pronat duke e bërë administratën lokale më efikase. Ulini faturat e energjisë duke përshpejtuar lejet për impiante të reja energjie dhe nxjerrje të gazit natyror. Demokratët patën një reagim të përzier ndaj tezave për bollëk të Ezra Kleinit dhe Derek Thompsonit, por nëse hiqet mënyra e majtë e paraqitjes së këtyre ideve, republikani i ardhshëm mund t’i përqafojë lehtë ato.
Së treti, krijoni pjesëmarrje të gjerë në gjenerimin e pasurisë nga tregjet e aksioneve. Në epokën e inteligjencës artificiale, është e mundur të imagjinohet e ardhmja me performancë të lartë të tregut të aksioneve edhe me paga në ngërç dhe humbje vendesh pune. Kjo është formula për trazira shoqërore, dhe ndarja e aksioneve ofron zgjidhje praktike. Nëse çdo fëmijë i lindur ligjërisht në ShBA merr një “trashëgimi të ëndrrës amerikane” prej 10 mijë dollarësh të investuar në S&P 500, çdo i ri amerikan do të bëhej milioner deri në moshën 60-vjeçare (duke supozuar një kthim vjetor modest prej tetë përqind, më i ulët se mesataret historike për 5, 10, 20 dhe 40 vjet). Kjo është fuqia magjike e llogaritjes.
Efekti do të ishte i thellë: Në vend që të sulmojnë milionerët, ata vetë do të ishin në rrugën për t’u bërë të tillë. Të rinjtë amerikanë, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, do të kishin interes të përbashkët për rritje maksimale ekonomike - një mundësi për të luajtur sërish në të njëjtën skuadër, ndërsa shkëputen nga shteti federal i mirëqenies. Llogaritë e Trumpit, të miratuara së fundmi, janë hap pozitiv në këtë drejtim. Nëse programi zgjerohet, ai mund të zëvendësojë gradualisht disa përfitime të tjera federale, në vend që t’u shtohen barrë atyre.
Së katërti, jepjani Amerikës një projekt të përbashkët kombëtar që i mungon aq shumë. Amerika ka një qëllim më të madh në botë nga ai që kemi përfaqësuar deri tani në shekullin XXI. Amerikanët e të gjitha ngjyrave dëshirojnë të kujtohen për këtë, përmes një ekuivalenti modern të misionit Apollo. Ndoshta është ndërtimi i një baze në Hënë për të arritur fuzionin bërthamor që do të fuqizojë krijimin e inteligjencës artificiale pa efekte anësore dhe kufizime në Tokë; ndoshta është diçka tjetër e përmasave dhe ambicies së ngjashme. Një projekt i tillë mund të shërbejë si katalizator për të ringjallur arsimin cilësor matematikor dhe shkencor në ShBA, përmes ngritjes së standardeve në shkollat publike, zgjerimit të mundësive arsimore dhe shumë të tjerash.
E vërteta shpresëdhënëse është se zgjidhja për politikën e identitetit nuk ka pse të jetë fitorja e një kampi ndaj tjetrit, por realizimi i përbashkët i një arratisjeje kombëtare drejt një horizonti më premtues. /Telegrafi/












































