Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, neurologu Blerim Myftiu ka folur për disa nga simptomat më të zakonshme neurologjike – kokëdhimbjet, migrenën, marramendjen dhe mpirjet në trup.

Sipas tij, këto janë shqetësime të përditshme për shumë njerëz, por shpesh keqkuptohen ose neglizhohen.


 Myftiu shpjegon se migrena nuk është thjesht një dhimbje koke, por një gjendje neurologjike me simptoma specifike që mund të diagnostikohet vetëm në bazë të përshkrimit të pacientit.

“Nëse e dëgjojmë personin tre-katër minuta apo pesë minuta si e përshkruan dhimbjen, kjo mjafton për ta vendosë diagnozën e migrenës. Sepse nuk ka ndonjë test, nuk ka ndonjë ndryshim karakteristik në rezonancë magnetike. Nuk ka ndonjë test tjetër të veçantë dhe nuk ka ndonjë analizë që mund të bëhet nga gjaku dhe të thuhet 'ju jeni migren pozitive ose migren negative'. Prandaj, nuk ka diçka të tillë”, ka thënë ai.

Myftiu po ashtu foli edhe për marramendjen, për të cilën tha se edhe marramendja dhe kokëdhimbja janë dy simptoma më të shpeshta neurologjike.

“Shumë shpesh kemi marramendje që vjen nga problemet me qendrën e drejtpeshimit në veshin e mesëm dhe të brendshëm, për atë arsye na nevojitet ndihma e otorinolaringologut për ta diagnostiku. Ekziston vështirësi e diagnostikimit nga ORL-ja e këtij problemi, shpeshherë pacienti kthehet me rezultat normal nga ORL-ja”, u shpreh Myftiu.

Gjatë bisedës ai sqaroi se marramendje njeriu ka kur ka problem kronik me hipotensionin ose me dehidrimin.

“Marramendje kemi te personat që kanë edhe sëmundje të ndryshme metabolike, si për shembull tiroide, ose diçka mungesë të vitaminës B12 ose mungesë të vitaminës D. Prandaj edhe kjo paraqet në vetvete vështirësi dhe sfidë që shumë herë ekzaminimet e zakonshme radiologjike, laboratorike janë normale dhe nuk ka një arsye ose një shkak i veçantë për ta kthyer përgjigjen pse ndodh marramendja”.

I pyetur për problemet e mpirjeve të ndryshme në trup ai tha: “Mpirja është po ashtu simptoma më e përhapur. Ashtu siç mund të jetë shenjë e një problemi serioz, mund të jetë edhe një shenjë e një problemi jo shumë domethënës. Sepse mpirje do të kenë edhe persona të cilët janë në ankth, janë në stres, janë në gjendje të ndryshme jonormale emocionale ose në një ngarkesë fizike, mirëpo ne duhet ta dëgjojmë me vëmendje mpirjen dhe ta mendojmë mpirjen se nga shtrihet dhe ku shtrihet. Mpirja e duarve është një fenomen i zakonshëm nëse shfaqet më tepër mëngjeseve, pas zgjimit nga gjumi, ose nëse shfaqet më shumë pasi i përdorim duart për ndonjë punë apo vazhdimisht edhe nga profesioni se çfarë është, atëherë me shumë gjasë bëhet fjalë për sindromën e tunelit Karpal...".

Sipas tij, në qoftë se mpirja është në njërën gjysmë të trupit atëherë kjo mund të jetë një indikator që me të vërtetë, në tru ose në qafë, mund të kenë ndonjë problem.

“Në qoftë se është një mpirje që ka filluar befas para disa ore, mund të jetë indikator i një sulmi në tru. Prandaj duhet të bëhet një imazheri përkatëse, në qoftë se është një mpirje e cila ka filluar para disa ditësh dhe kemi të bëjmë me një person të moshës së re dhe ka ndonjë shenjë përcjellëse, mund të jetë indikator që ai personi i ri mund ta ketë sklerozën multiple”.

Ky podcast mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/