LAJMI I FUNDIT:

Çështja “Mediat”

Çështja “Mediat”

Julian Zyla

Mediat kishin pakënaqësi edhe ndaj presidentit Barack Obama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas disa raportimeve, administrata e tij investonte tepër burime në zbardhjen e rasteve të rrjedhjes së informacioneve te gazetarët. Gjithashtu, gazetarët nuk shihnin me sy të mirë komunikimin e drejtpërdrejtë të tij me publikun në mediat sociale apo nëpërmjet emisioneve argëtuese. Këto ishin disa nga pakënaqësitë e gazetarëve ndaj tij, të cilët ndiheshin të shmangur. Megjithatë, ata nuk mund ta citonin z. Obama aq lehtë sa mund të citojnë Presidentin aktual Trump në deklaratat e tij kundër mediave. Z. Trump quan CNN “fake news”, një kategori kjo, e lajmeve të rreme, ku ai fut shumicën e mediave tradicionale dhe digjitale.


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është në një situatë më të ngjashme me atë të z. Trump, pas deklaratave të tij të fundit dhe duke pasur parasysh faktin që askush nuk diskuton më të drejtën e udhëheqësve për të komunikuar drejtpërdrejt apo në mënyrë argëtuese. Pra, me deklaratat e tij kryeministri Rama ka tashmë një “skandal” të ri. A e donte një gjë të tillë? A ishte një ide e mirë krijimi i tij apo pakujdesia për ta shmangur apo përmbajtur?

Ajo që gjatë këtij artikulli do ta quaj Çështja “Mediat” ka dy mundësi. Mundësia e parë është që kryeministri është i sinqertë në pakënaqësitë e tij ndaj gazetarëve. Nëse kjo është e vërteta, ai mund të shprehej/t ndaj tyre në mënyrë pozitive: “Unë e di që puna juaj nuk është e lehtë me gjithë vështirësitë që keni, por si kryeministër i vendit do ju ftoja të bëni më shumë kujdes për të pasur një nivel më të lartë përgjegjësie në përzgjedhjen e informacioneve dhe fjalëve që përcillni gjatë punës suaj. Më konkretisht, …” Kjo qasje do të mund të kontribuonte në zgjidhjen e problemit, pa krijuar një problem tjetër.

Mundësia apo skenari i dytë është që çështja “Mediat” të jetë prodhuar me dashje. Në këtë rast, do të kishim të bënim me një përllogaritje politike të nxituar. Është e vërtetë që me pozitivitet nuk do të kishim pasur debat dhe pa debat nuk do të mund të ishte larguar vëmendja nga debati mbi çështjen pararendëse. Por është, gjithashtu, e vërtetë që potenciali dëmtues i çështjes “Mediat” nuk është aspak më i vogël politikisht për z. Rama. Kjo sjellje rrezikon ta rendisë atë përkrah rastesh të tjera të udhëheqësve autokratikë, gjë për të cilën votuesit e liderit modern Edi Rama, nuk do ishin të lumtur.

Ngjashmëria e strategjisë së kryeministrit Rama me atë të Trump ka një problem. Trump vepron në një kontekst ku publiku i tij, republikanët, besojnë vërtet se mediat janë tepër liberale dhe të majta, dhe si rrjedhojë mund të jenë të padrejta me presidentin republikan. Në Shqipëri, nuk ka ndonjë opinion mbizotërues se mediat janë me PD.

Gjithashtu, është e vërtetë që dominimi i Çështjes “Mediat” ka qenë total. Por kjo është një çështje që nuk ekzistonte më parë dhe mbetjet e saj mund të jenë rezistente ndaj kohës. Mbi të gjitha, ajo vetëm përkohësisht mund të largojë vëmendjen nga çështje të tjera. Ato mund të rikthehen në momentin e parë që ka një lajm lidhur me to. Ashtu si ndodhi me lajmin Sota.

Një strategji tjetër që mund të ketë lënë të paqartë edhe mbështetësit e kryeministrit ishte heshtja ndaj atij lajmi. Teorikisht, ajo heshtje mund të ishte e këshillueshme. Por jo pas deklaratave të bëra rregullisht gjatë ngjarjeve të mëparshme. Pra, ishte një heshtje që ushtoi shumë.

A mund t’i lejohet kryeministrit të shprehë ose të mos shprehë opinionin e tij? Natyrisht që po. Por mënyrat se si këto opinione shpalosen kanë rëndësi. Nëse veshja ndikon në krijimin e një identiteti, mund të imagjinohet lehtë ndikimi që mund të kenë llojet e komunikimit. Gjatë punës së tyre mund të gabojnë si gazetarët ashtu edhe politikanët. Por kur gabimi mund të jetë strategjia e një jave të plotë, efekti që mund të shkaktohet mund të gdhendet në identitet më fort sesa imazhi i një veshjeje.

Barak Obama kujdesej mjaft, si për veshjen ashtu edhe për komunikimin. I renditur menjëherë si presidenti i 12-të më i mirë amerikan, ai vlerësohej mes të tjerash për aftësitë e tij të komunikimit. Për veshjen kishte një rregull të thjeshtë: “Do të më shihni duke veshur vetëm kostume blu ose gri (të zënë). Përpiqem të pakësoj vendimet. Nuk dua të marr vendime për çfarë do të ha apo do të vesh. Kam shumë vendime të tjera për të marrë”. Këtë rrëfim ai e bëri gjatë një interviste si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për revistën “Vanity Fair”, një nga mediat amerikane, për të cilat zakonisht shprehej me respekt. /GSH/