Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj pesë (5) të pandehurve, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer disa vepra penale që lidhen me të drejtën e votimit dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjatë ditës janë mbajtur tri (3) seanca dëgjimore, bazuar në kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.


Gjyqtarët e procedurës paraprake kanë vendosur që katër (4) të pandehurve, A.Sh., I.B., B.S. dhe H.P., t’u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më 28 shkurt 2026.

Sipas gjykatës, ekziston dyshim i bazuar se secili prej tyre ka kryer veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, nga neni 216 paragrafi 2, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, ndaj të pandehurit N.B. është caktuar masa e paraburgimit prej një (1) muaji, po ashtu deri më 28 shkurt 2026, nën dyshimin se ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 i Kodit Penal, që lidhet me moskryerjen me dashje të një detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj.

Gjykata ka theksuar se argumentimi i këtyre dyshimeve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Këto vendime përbëjnë vazhdimësi të rastit të trajtuar më 24 janar 2026, kur ndaj njëzet e tre (23) të pandehurve ishte caktuar masa e paraburgimit për vepra penale kundër të drejtës së votimit./Telegrafi/