Cakolli tha se takimet konsultative duhet të mbahen në seli partie, e jo në hapësira shtetërore - sqarohen nga LVV
Pas reagimit të Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës se kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka zhvilluar takimet konsultative me disa parti politike për formimin e qeverisë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka sqaruar se pse po mbahen takimet në ato ambiente.
Manxhuka në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se Kurti po i mban takimet në zyrën e tij në Kryeministri, në ndërtesën e Qeverisë, sepse aty punon.
Sipas tij, edhe mysafirët po i preferojnë ambientet e kryeministrisë për takime.
“Kryeministri Kurti po i mban takimet në zyren e tij në Kryeministri, në ndërtesën e Qeverisë, sepse aty punon. Edhe mysafirët po ashtu po e preferojnë qeverinë”, ka thënë Manxhuka.
Ndërkaq, për mbajtjen e këtyre takimeve ka reaguar, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, i cili tha se nuk është në rregull dhe as s’duhet të normalizohet që takimet “konsultative” për formimin e qeverisë së re të mbahen në ndërtesën e Qeverisë – e aq më pak që për to të lëshojë njoftim Zyra e Kryeministrit.
Cakolli tha se Kurti nuk ka ende mandatim zyrtar për formimin e qeverisë, për siç tha “e qeveria aktuale është ‘në detyrë’ “.
Ndryshe, caktimi i 15 prillit si datë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, ka nxitur kryetarin e LVV-së, Albin Kurti që të nis diskutimet për formimin e qeverisë.
Këto diskutime Kurti po i kryen me partitë politike nga pakicat në zyrën e kryeministrisë. /Telegrafi/






























