Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar ndaj procedurës së paralajmëruar për votimin e buxhetit të shtetit, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe disa çështjeve financiare vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues për mandatarin e dytë për formimin e Qeverisë.

Cakolli ka ngritur një sërë pyetjesh mbi kohën e zgjedhur për këto vendime, duke e cilësuar procesin si të vonuar dhe politikisht të motivuar.


“Nëse pikat e rendit të ditës për seancën e nesërme – përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, kreditë, buxhetin e shtetit, buxhetet e disa komunave dhe financimin e RTK-së – qenkan kaq jetike, pse nuk u sollën për shqyrtim më herët?”, ka pyetur ai.

Ai kujtoi se institucionet kanë pasur disa faza për të ndërmarrë këto veprime, por nuk e kanë bërë.

“Pse jo gjatë 14 ditëve të mandatarit të dytë, gjatë 10 ditëve të konsultimeve të Presidentes, apo gjatë 15 ditëve të mandatit të parë? Pse pikërisht në ditën e fundit të afatit kushtetues për formimin e Qeverisë ose shkuarjen në zgjedhje?!”, ka theksuar Cakolli.

Sipas tij, veprimet e tilla bien ndesh me parimin e funksionimit të institucioneve.

“Rendi kushtetues dhe logjika parlamentare parashohin që fillimisht votohet Qeveria, e vetëm më pas merren vendime që krijojnë politika të reja, detyrime financiare dhe implikime ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Cakolli thotë se urgjenca për votimin e buxhetit dhe marrëveshjeve në këtë moment nuk është pa qëllim.

“I gjithë ky nxitim për të votuar ‘urgjentisht’ buxhetin dhe marrëveshjet, pikërisht para skadimit të afatit për mandatarin e dytë, në fakt shpalos disa mesazhe politike”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, mesazhi i parë lidhet me mungesën e sigurisë për mbështetjen e Qeverisë së propozuar.

“Duket se ka shumë pak besim që Qeveria e propozuar nesër do të sigurojë shumicën e nevojshme”, ka thënë ai, duke shtuar se një dështim i mundshëm “do të tentohet të kapitalizohet si kartë politike gjatë fushatës së ardhshme zgjedhore”.

Cakolli theksoi edhe një shqetësim tjetër që lidhet me funksionimin e institucioneve në muajt e ardhshëm.

“Po jepen sinjale se vendi mund të mbetet pa Qeveri të re funksionale edhe përtej muajit mars – kur çështjet buxhetore bëhen realisht emergjente”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/