Cakolli: Diaspora nuk është penguar të votojë - PZAP ndaloi shkeljen e ligjit

Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar pas vendimit të fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me qështjen e hapjes së qendrave të votimit për diasporën jashtë përfaqësive diplomatike.
Cakolli e ka cilësuar atë si një zhvillim vendimtar për ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Sipas tij, vendimi nuk është thjesht një korrigjim teknik i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por një rikthim i standardeve të qarta ligjore.
“Vendimi i fundit i PZAP-së nuk është vetëm një korrigjim teknik i KQZ-së. Është një pikë kthese e rëndësishme për integritetin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit,” ka deklaruar Cakolli, duke shtuar se vendimi pritet të konfirmohet edhe nga Gjykata Supreme në rast se çështja dërgohet atje.
Ai ka theksuar se paneli zgjedhor ka ndërprerë tentativat për të krijuar përshtypjen se diaspora po pengohet nga procesi i votimit.
“As PZAP-ja, as parashtruesit e ankesës dhe askush tjetër nuk e ka ‘ndaluar diasporën’. Thjesht, nuk u lejua shkelja e ligjit në emër të narrativave politike dhe ‘kauzave’ elektorale,” ka thënë ai.
Cakolli ka kritikuar partitë që sipas tij po përpiqen të përdorin diasporën për fushata politike.
“Ironia më e madhe është se ata që kontribuan maksimalisht që data e zgjedhjeve të jetë 28 dhjetori – pikërisht me arsyetimin se ‘diaspora do të jetë këtu’ – tani po thonë se as përfaqësitë diplomatike nuk mjaftojnë,” ka theksuar ai.
Sipas tij, kërkesa për qendra shtesë votimi jashtë vendit, përfshirë hapësira private apo fetare, nuk ka qenë e domosdoshme.
“Jo sepse janë të nevojshme, por sepse ndihmojnë narrativën,” ka shtuar Cakolli.
Ai ka kujtuar se edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat ishin me afate më të gjata, qendrat e votimit jashtë Kosovës nuk arritën kapacitetet maksimale të regjistrimit.
“Pra, nuk ka pasur kërkesë që i tejkalon kapacitetet ekzistuese,” ka deklaruar ai.
Cakolli ka vlerësuar vendimin si fitore për demokracinë dhe ka apeluar për shmangien e manipulimeve politike.
“Diaspora nuk duhet të bjerë pre e diskurseve përçarëse. Ajo do të votojë, ashtu siç e përcakton ligji. Kjo është mënyra më e sigurt që vota e çdo qytetari jashtë vendit të ketë vlerë dhe legjitimitet të plotë,” ka përfunduar ai. /Telegrafi/


















































