Brnabiq: Serbia nuk mund të shantazhohet për Kosovën

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq ka shprehur shpresën se BE-ja do të njohë dëshirën e madhe, performancën dhe fleksibilitetin e Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, në të njëjtën kohë, ajo ka theksuar se Serbia nuk është një vend i cili është ekonomikisht dhe politikisht i dobët, dhe që mund të shantazhohet.
Duke komentuar takimin e djeshëm me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell, kryeministrja serbe ka thënë se pikëpamjet e Serbisë dhe SHBA-ve për çështjen e Kosovës janë shumë të ndryshme.
Brnabiq, siç shkruajnë më tej mediat serbe, ka thënë se Serbia është duke u përpjekur për të marrë më të mirën e bashkëpunimit me SHBA-të për këtë çështje, dhe theksoi se shumica e punës në këtë fushë e ka marrë përsipër kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pasi që siç ka thënë ajo, qeverisë serbe i është lënë hapësirë për t'u marrë me tema ekonomike dhe të tjera. /Telegrafi/





















































