LAJMI I FUNDIT:

Britania po e shqyrton mundësinë e eksportimit të armëve në Kosovë

Britania po e shqyrton mundësinë e eksportimit të armëve në Kosovë

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar po shqyrton mundësinë e eksportit të pajisjeve ushtarake në Kosovë, duke theksuar përfitimet e mundshme si për sigurinë e Kosovës ashtu edhe për industrinë britanike të mbrojtjes.

Në një pyetje me shkrim të datës 3 shkurt 2025, deputeti David Taylor (Laburist – Hemel Hempstead) i kërkoi Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen të japë një vlerësim mbi “ndikimin e mundshëm të eksporteve britanike të armëve në Kosovë për (a) sigurinë e Kosovës dhe (b) rritjen e ekonomisë britanike të mbrojtjes”.

Maria Eagle, Ministre e Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes, u përgjigj më 6 shkurt duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar “vazhdon të monitorojë nga afër situatën e sigurisë në Kosovë”, ndërsa forcat britanike mbeten të “dislokuara në vend si mbështetje për misionin e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm”, njoftojnë mediat britanike.


Eagle shpjegoi se “Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po shqyrton aktualisht mundësitë e eksportit të pajisjeve ushtarake në Kosovë”, duke theksuar se kjo mund të “ndihmojë në krijimin e vendeve të punës në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe të ruajë bazën industriale të mbrojtjes së nivelit botëror, duke forcuar njëkohësisht sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës”.

Ajo nënvizoi se çdo licencë për këto eksporte do të jepet “në përputhje me Kriteret Strategjike të Licencimit të Eksporteve të Mbretërisë së Bashkuar,” duke siguruar që çështje të tilla si rreziku dhe ndikimi në stabilitetin rajonal të shqyrtohen me kujdes.

Eagle shtoi: “Nuk lëshojmë licenca nëse kjo do të ishte në kundërshtim me Kriteret, përfshirë Kriterin 4, i cili na kërkon të përcaktojmë nëse ekziston një rrezik i qartë që këto pajisje mund të dëmtojnë paqen dhe sigurinë e përgjithshme”.

Ministria britanike e Mbrojtjes thotë se shqyrtimi i eksporteve të armëve në Kosovë është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbështetur misionet paqeruajtëse dhe zhvillimin në rajon, duke ruajtur njëkohësisht interesat e mbrojtjes dhe ekonomisë britanike./Telegrafi/