Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë e ka vlerësuar koordinimin e mirë ndërmjet KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pas autorizimit nga Komandanti i KFOR-it që FSK të vendosë ekipe kërkim-shpëtimi me qëllimin specifik të ndihmës në rastin tragjik të një personi që ishte zhdukur në Liqenin Ujman.

Ambasada ka vlerësuar se operacioni është dëshmi e përsosmërisë së aftësive të kërkim-shpëtimit të FSK-së dhe në përputhje me marrëveshjet afatgjata midis KFOR-it dhe FSK-së.


“Ne e përgëzojmë KFOR-in për ofrimin e mbështetjes dhe sigurisë gjatë gjithë këtij operacioni dhe i shprehim ngushëllime familjes së burrit që fatkeqësisht humbi jetën.

Mbretëria e Bashkuar mbështet plotësisht misionin e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Bashkëpunimi i ngushtë midis KFOR-it, FSK-së dhe reaguesve të tjerë të sigurisë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, është jetik për suksesin e misionit të KFOR-it”, thuhet në reagim. /Telegrafi/