LAJMI I FUNDIT:

Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Në periferi të një qyteti industrial të Koresë së Jugut, punëtorët e një fabrike të madhe armësh po kryejnë testimin e fazës përfundimtare të një sistemi të sapondërtuar raketor, i cili përfundimisht mund të shkojë në Ukrainë.

Politika e brendshme e ndalon Seulin të dërgojë armë në zonat aktive të konfliktit, por që kur agjencia e saj e spiunazhit akuzoi Veriun për dërgimin e mijëra ushtarëve për të ndihmuar Moskën të luftojë Kievin, Koreja e Jugut ka paralajmëruar se mund të ndryshojë kursin.

Nëse po, me gjasë në krye të listës për Ukrainën do të ishte sistemi i mbrojtjes ajrore “Cheongung” – ose Sky Arrow, një mburojë interceptimi në stilin Iron Dome të prodhuar në vend në fabrikën Hanwha Aerospace në qytetin jugor të Changwon.


“Sistemi Cheongung mund të mendohet si i ngjashëm me sistemin raketor Patriot të SHBA-së”, tha menaxheri Jung Sung-young në Hanwha Aerospace, kontraktori më i madh i mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Bëhet e ditur se Ukraina mbështetet në sistemet perëndimore të mbrojtjes ajrore, veçanërisht Patriots, për t’u mbrojtur nga raketat ruse — dhe ka kërkuar më shumë dërgesa.

Uashingtoni në qershor njoftoi se do t’i jepte përparësi dërgesave në Kiev, përpara vendeve të tjera, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Por nëse Koreja e Jugut, e cila mbetet teknikisht në luftë me Veriun, do të përfshihej, ajo potencialisht mund të bënte një ndryshim të madh, thonë ekspertët.

“Si një komb i ndarë, ne kemi vendosur dhe zbatuar sistematikisht standarde në nivel kombëtar, nga zhvillimi i këtyre sistemeve të armëve deri te kontrolli i cilësisë”, tha Jung.

“Cilësia, aftësia dhe zinxhiri i furnizimit të produkteve tona është mjaft konkurrues në krahasim me ato të vendeve të tjera”, shtoi ai.

“Nëse, ose si Koreja e Jugut vendos të ndihmojë Ukrainën drejtpërdrejt varet nga “niveli i përfshirjes së Koresë së Veriut”, tha presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, duke shtuar se Seuli “nuk po e përjashtonte mundësinë e ofrimit të armëve”.

“Për të shmangur breshërinë e vazhdueshme të raketave që kanë shënjestruar infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe zonat civile, Kievi ka nevojë urgjente për më shumë mbrojtje ajrore”, tha Han Kwon-hee i Shoqatës Koreane të Industrisë së Mbrojtjes.

“Kundërofensivat kërkojnë stabilitet në zonat e pasme, kjo është arsyeja pse Kievi ka kryer gjithashtu sulme me dron brenda Rusisë, përfshirë Moskën”, shpjegoi Han.

“Ato do të ndihmojnë Ukrainën të frenojë ofensivat e Rusisë duke përgjuar dronët dhe raketat që fluturojnë thellë në territorin e tyre”, përfundoi ai.

Siç raportohet, Jugu ka mbetur i gatshëm për luftim që kur lufta e tij e viteve 1950-53 me Veriun përfundoi me një armëpushim, dhe Hanwha Aerospace tani ka kërkesa të larta.

Aty ka një gamë të gjerë armësh që lëvizin përgjatë linjave të montimit, nga automjetet e blinduara të këmbësorisë, deri te sistemet raketore.

Tensionet e rritura gjeopolitike në Evropë kanë ndikuar që fitimi i kompanisë koreano-jugore të rritet me mbi 450% në tremujorin e fundit, me 343.3 milionë dollarë.

Ajo ka nënshkruar marrëveshje të mëdha armësh me vende të tilla si Polonia dhe Rumania, duke përfshirë eksportin e sistemeve raketore K9 Howitzer dhe Chunmoo.

Eksportet e armëve

Ndryshe, Seuli ka pasur prej kohësh ambicie për t’u bashkuar me radhët e eksportuesve kryesorë të armëve në botë — duke synuar të jetë i katërti më i madhi, pas SHBA-së, Rusisë dhe Francës.

Ajo tashmë i ka shitur Uashingtonit predha artilerie 155 mm.

Oferta tjetër e armëve e Hanwha që mund të ndryshojë ekuilibrin e luftës në Ukrainë është sistemi i saj i raketave të drejtuara Chunmoo, sipas ekspertëve.

“Me një rreze maksimale prej 290 km, Chunmoo mund të godasë objektivat në Phenian nëse niset nga zona kufitare në jug”, tha Choi Gi-il, profesor i studimeve ushtarake në Universitetin Sangji.

“Ajo që Ukraina ka nevojë urgjente për ta kthyer luftën në favor të saj janë armët sulmuese si raketat Chunmoo dhe obusët K9, të afta për të shkaktuar dëme të konsiderueshme mbi armikun”, shtoi Choi.

“Nëse përfshirja e drejtpërdrejtë e Koresë së Veriut në luftë përshkallëzohet, Seuli mund të konsiderojë dërgimin e armëve vdekjeprurëse, përveç atyre mbrojtëse”, përfundon ai. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Stargate: Çfarë është projekti i ri i Inteligjencës Artificiale prej 500 miliardë dollarësh i Donald Trump?

Stargate: Çfarë është projekti i ri i Inteligjencës Artificiale prej 500 miliardë dollarësh i Donald Trump?

Botë
Zbulohen detaje të letrës që Biden i la Trump

Zbulohen detaje të letrës që Biden i la Trump

Amerika
Trump kërcënon Putinin me 'taksa, tarifa dhe sanksione' nëse ai nuk ndalon luftën në Ukrainë

Trump kërcënon Putinin me 'taksa, tarifa dhe sanksione' nëse ai nuk ndalon luftën në Ukrainë

Botë
“Dera sekrete” brenda zyrës ovale që është vërejtur nga gazetarët derisa Trump dhe May pozonin, ka nxitur debate në rrjetet sociale (Foto)

“Dera sekrete” brenda zyrës ovale që është vërejtur nga gazetarët derisa Trump dhe May pozonin, ka nxitur debate në rrjetet sociale (Foto)

Anija spiune ruse hynë në ujërat britanike, Londra zyrtare mesazh Putinit: Ne ju shohim, dimë se çfarë po bëni

Anija spiune ruse hynë në ujërat britanike, Londra zyrtare mesazh Putinit: Ne ju shohim, dimë se çfarë po bëni

Evropa
Turistja gjeti vdekjen pasi “ra nga parashuta” në mes të fluturimit – momenti i aksidentit në një zonë të Kolumbisë

Turistja gjeti vdekjen pasi “ra nga parashuta” në mes të fluturimit – momenti i aksidentit në një zonë të Kolumbisë

Botë
Kalo në kategori