LAJMI I FUNDIT:

BQK lehtëson çështjen e kësteve të kredive për bizneset dhe ata që hasin vështirësi në pagesa

BQK lehtëson çështjen e kësteve të kredive për bizneset dhe ata që hasin vështirësi në pagesa

Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi Covid-19, Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë disa masa lidhur me funksionimin normal të sistemit financiar.

Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me qëllim ndaljen e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në zhvillimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen zvogëlimin e nivelit të të hyrave për bizneset në vend, ku ngadalësimi i aktivitetit të bizneseve mund të ndikojë në aftësinë paguese të tyre.


“BQK së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë. Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmoj klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar”, thotë BQK.

Sipas njoftimit, të gjithë ata kredimarrës që kanë hasur vështirësi financiare, duhet rë kontaktojnë bankat e tyre me qëllim të pezullimit të pagesave të kësteve të kredisë.

“Kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë. Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor”, vijon njoftimi.

Në fund, BQK thotë se ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive. /Telegrafi/