eksperti-banner

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe (CBUAE), Khaled Mohamed Balama, kanë nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) që synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e informacionit e ekspertizës në fushat me interes të përbashkët.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Bankës Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi.


Sipas BQK-së, memorandumi parasheh avancimin e koordinimit në fushat mbikëqyrëse dhe rregullative, si dhe shkëmbimin e përvojave në zhvillimin e teknologjisë financiare, politikën monetare, masat makroprudenciale dhe stabilitetin financiar.

Dokumenti përfshin gjithashtu bashkëpunimin në mbrojtjen e konsumatorëve financiarë, përfshirjen dhe edukimin financiar, bankimin me parime islame, mbikëqyrjen bankare, sistemet e pagesave, zbatimin e standardeve ndërkombëtare prudenciale, si dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Guvernatori i CBUAE-së, Khaled Mohamed Balama, tha se marrëveshja vjen në një periudhë transformimesh të shpejta në sektorin financiar global dhe synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet bankave qendrore dhe autoriteteve mbikëqyrëse.

“Përmes këtij Memorandumi Mirëkuptimi synojmë të shkëmbejmë njohuri dhe praktika më të mira që rrisin gatishmërinë dhe aftësinë e sektorit financiar për t’u përshtatur me ndryshimet, në mbështetje të interesave të përbashkëta të të dy vendeve”, tha Balama.

Ndërkaq, guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e cilësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për institucionin që drejton dhe për sektorin financiar të Kosovës.

“Ky Memorandum i parë i Mirëkuptimit me Bankën Qendrore të Emirateve të Bashkuara Arabe përbën një moment historik për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Ai pasqyron përkushtimin tonë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucione partnere me reputacion të lartë, forcimin e kapaciteteve tona institucionale dhe mbështetjen e modernizimit të vazhdueshëm të sektorit financiar të Kosovës”, tha Ismaili.

Sipas BQK-së, memorandumi synon të thellojë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy institucioneve dhe të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.