eksperti-banner

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, ka vizituar Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ymer Elshani në Korroticë të Poshtme, të cilën e ka cilësuar si një vend që ruan kujtesën, historinë dhe trashëgiminë e fjalës së shkruar.

Në këtë vizitë, ministrja Bogujevci u shoqërua nga zëvendësministrja Nora Arapi-Krasniqi, drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, Merita Augustini Ndrecaj, si dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore.


Delegacioni u prit nga Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit, e cila ndau rrëfime për jetën dhe veprën e Ymer Elshanit, si dhe për historinë e shtëpisë që sot shërben si muze.

Sipas Ministrisë së Kulturës, Shtëpia Muze e Ymer Elshanit përfaqëson një pasuri të rëndësishme kulturore dhe historike, duke ruajtur jo vetëm trashëgiminë letrare të një prej emrave më të njohur të letërsisë shqipe për fëmijë, por edhe kujtimin e familjes së tij dhe të 46 civilëve të vrarë gjatë Masakrës së Poklekut.

“Një shtëpi që ruan kujtesën, historinë dhe fjalën e shkruar”, është vlerësimi që ministrja Bogujevci ka dhënë për këtë objekt me rëndësi të veçantë.

Nga MKRS theksojnë se kjo shtëpi muze mbetet një dëshmi e rëndësishme e kujtesës kolektive, ku ndërthuren historia, kultura dhe kujtimi për ngjarje e personalitete që kanë lënë gjurmë në shoqërinë kosovare.

Shtëpia Muze e Ymer Elshanit konsiderohet një nga pikat e rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, duke shërbyer si hapësirë e ruajtjes së identitetit kulturor dhe historik për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë. /Telegrafi/