Vidhen gjashtë karrige nga oborri i Shtëpisë Muze “Ymer Elshani”

Nga oborri i Shtëpisë Muze “Ymer Elshani” që ndodhet në Korroticë e Ulët të Drenasit, janë vjedhur gjashtë karrige plastike, një rast që ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe mbrojtjen e këtij objekti të trashëgimisë kulturore.
Përmes një reagimi të publikuar në Facebook, përfaqësues të muzeut kanë bërë të ditur se, ndonëse dëmi material konsiderohet i vogël, ngjarja paraqet një problem më të gjerë sa i përket ruajtjes së hapësirave muzeale.
“Me shqetësim të madh njoftoj se mbrëmë, nga oborri i Shtëpisë Muze ‘Ymer Elshani’, janë vjedhur gjashtë karrige plastike”, thuhet në reagim.
Sipas muzeut, ky rast është një tregues se objekti nuk ka siguri të mjaftueshme dhe se trashëgimia kulturore mbetet e cenueshme.
“Edhe pse në vlerë materiale mund të duken të parëndësishme, ky akt është një sinjal serioz se Shtëpia Muze nuk është e sigurt dhe se trashëgimia jonë kulturore mbetet e pambrojtur”, thuhet në reagim.
Nga muzeu kanë theksuar se Shtëpia Muze “Ymer Elshani” ka rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, pasi nuk paraqet vetëm një objekt fizik, por një hapësirë të kujtesës kolektive.
“Shtëpia Muze ‘Ymer Elshani’ nuk është pronë private e zakonshme. Ajo është një vend i kujtesës, i historisë dhe i kulturës sonë, i ngritur për të ruajtur veprën e shkrimtarit Ymer Elshani dhe për të dëshmuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, thuhet më tej.
Përfaqësuesit e muzeut u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa për rritjen e sigurisë në këtë objekt.
“U bëj thirrje Ministrisë së Kulturës, Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Komunës së Drenasit dhe organeve të sigurisë që të marrin masa urgjente për mbrojtjen e Shtëpisë Muze, duke siguruar mbikëqyrje dhe mekanizma të përhershëm të ruajtjes”, thuhet në reagim.
Në fund, muzeu ka theksuar se ndërhyrja duhet të bëhet para se të ndodhin dëme më të mëdha ndaj kësaj pasurie kulturore.
“Nuk duhet të presim që të ndodhë një dëm edhe më i madh për të vepruar. Mbrojtja e kujtesës sonë është përgjegjësi e përbashkët dhe obligim institucional”, thuhet në reagim. /Telegrafi/



































