Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se ka nisur restaurimi i përgjithshëm i Teatrit “Adriana” në Ferizaj, projekt që, sipas saj, kap vlerën mbi 1.1 milion euro.

“Mbi 1.1 milion euro investim për restaurimin e Teatrit ‘Adriana’ në Ferizaj”, ka shkruar Bogujevci në një postim në Facebook.


Ajo ka thënë se restaurimi ka filluar në një nga hapësirat që i ka cilësuar si më të rëndësishme për jetën kulturore të qytetit, duke theksuar rolin që ky teatër ka pasur ndër dekada.

“Ka nisur restaurimi i përgjithshëm i një prej hapësirave më të rëndësishme të jetës kulturore në qytet, teatrit që për dekada ka qenë shtëpi e festivaleve, shfaqjeve dhe aktiviteteve artistike”, ka deklaruar Bogujevci.

Ministrja në detyrë ka shtuar se institucionet do të vazhdojnë investimet në infrastrukturën kulturore, me synim përmirësimin e kushteve për artistët dhe zhvillimin e jetës kulturore nëpër qytete.

“Vazhdojmë me investime në infrastrukturën kulturore, për kushte më të mira për artistët dhe jetën kulturore në çdo qytet”, ka shkruar ajo. /Telegrafi/