Komuna e Mitrovicë ka njoftuar për bllokim të përkohshëm të qarkullimit në rrugën “Hekurudha”, për shkak të zhvillimit të punimeve infrastrukturore në këtë zonë.

Sipas Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, bllokimi do të zbatohet nga data 4 mars deri më 8 mars 2026 dhe do të përfshijë segmentet e prekura nga ndërhyrjet.


Segmenti në fjalë përfshin rrugën nga ura e njohur si “Ura e KFOR-it” apo “Ura e Hekurit”, e cila çon në drejtim të lagjes Bair.

Komuna ka bërë të ditur se punimet realizohen në kuadër të projektit “Rehabilitimi i rrugës hekurudhore Linja 10, Pjesa Jugore (Fushë Kosovë – Mitrovicë)”.

Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe kanë rekomanduar përdorimin e rrugëve alternative gjatë kësaj periudhe, me qëllim shmangien e vështirësive në qarkullim. /Telegrafi/