Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka takuar sot shefin e misionit të Luksemburgut, Eric Dietz dhe ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen.

Bislimi ka deklaruar se me këto dy shtete ndajmë miqësi dhe partneritet të ngushtë e solid i cili e lehtëson bashkëpunimin në projektet dhe fushat me interes të përbashkët.


“Me ambasadorin Dietz folëm për thellimin e mbështetjes nga ana e Luksemburgut për Kosovën në fusha si arsimi dhe shëndetësia, ku dy marrëveshjet bilaterale të nënshkruara në muajin korrik të vitit të kaluar, janë vetëm pikënisja e një bashkëpunimi afatgjatë, efikas dhe produktiv”, ka shkruar Bislimi.

329731605 1833619460353643 696931356644407503 n

Bislimi tutje ka shtuar se me ambasadorin Nissinen u fokusua në rrugëtimin drejt proceseve të integrimit evropian të Kosovës, ku u riafirmua mbështetja e palëkundur e Finlandës në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

“Kosova i përket familjes evropiane dhe hap pas hapi ecim drejt përmbushjes së objektivit strategjik dhe afatgjatë të anëtarësimit në strukturat dhe organizmat evropianë”, u shpreh Bislimi. /Telegrafi/

329774678 589366655957986 4368440218795619010 n