LAJMI I FUNDIT:

Bislimi flet pas marrëveshjes për energjinë: Tashmë komunat veriore do të faturohen sipas ligjeve dhe sistemimit rregullativ të Kosovës

Bislimi flet pas marrëveshjes për energjinë: Tashmë komunat veriore do të faturohen sipas ligjeve dhe sistemimit rregullativ të Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes me palën serbe lidhur me çështjen e energjisë.

Bislimi në një postim në Twitter, ka shkruar se me këtë marrëveshje tani e tutje edhe komunat veriore të Kosovës do të faturohen për energjinë që shpenzojnë.


Marrëveshja për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – këto janë pikat e arritura
Lexo po ashtu Marrëveshja për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – këto janë pikat e arritura

“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin e implementimit për marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi.

I dërguari i posaçëm i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e ka quajtur këtë si hap të madh përpara.

Në kuadër të kësaj marrëveshje janë nëntë pika gjithsej, ku ndër të tjerash është bërë e ditur se do të faturohet edhe shpenzimi i energjisë elektrike për serbët në veri.

“Brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e energjisë së Kosovës, gjegjësisht Marrëveshjen Kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshjen për Detyrimin e bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e Kyçjes me KEDS-in dhe një marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe kyçja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të nenit. 5 të Marrëveshjes 2013”, thuhet në marrëveshjen e arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.

Qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. /Telegrafi/