LAJMI I FUNDIT:

BERZH jep 60 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën e turizmit në Shqipëri

BERZH jep 60 milionë euro për të përmirësuar infrastrukturën e turizmit në Shqipëri
-->

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka bërë me dije, se po planifikon një financim deri në 60 milionë euro, për të financuar një program mbi nën-projektet e infrastrukturës që mundësojnë turizmin në qytetet e Shqipërisë të Beratit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës.

Kredia pritet të financojë gjithashtu nën-projektet e përgjithshme të infrastrukturës komunale dhe transportit në të gjithë vendi.

“Programi synon të trajtojë çështjet që pengojnë sektorin e turizmit në Shqipëri përmes investimeve në infrastrukturë dhe bizneseve të lidhura me turistët dhe të ndihmojë Shqipërinë të arrijë objektivin e strategjisë kombëtare për zhvillimin dhe investimet për të përmirësuar konkurrencën e vendit dhe rritjen ekonomike përmes një cilësie të lartë dhe të qëndrueshme turizmi”, tha banka me anë të një njoftimi.

Kredia do të bashkëfinancojë programin së bashku me një grant investimi të BE-së, prej 40 milionë eurosh, që do të vihet në dispozicion përmes Instrumenteve për Ndihmën Para-pranuese (IPA).

Në këtë kontekst, theksoi BERZH, po kërkon të angazhojë një konsulent për të mbështetur krijimin e një Këshilli të Aftësive Sektoriale (SSC) për të udhëhequr politikën e arsimit në sektorin e turizmit dhe mikpritjes brenda programit të veprimit IPA.

“Rezultati i pritshëm i detyrës është krijimi i një platforme të angazhimit të politikave të drejtuar nga sektori privat për turizmin dhe mikpritjen – SSC në Shqipëri”, tha BERZH.

Caktimi i këshilltarit pritet të fillojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm dhe ka një kohëzgjatje të përgjithshme të vlerësuar 24 muaj. Kostoja e vlerësuar e detyrës është deri në 150 mijë euro. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 10 janari i vitit 2020.