Berat Gjimshiti, lideri i heshtur që po e udhëheq Shqipërinë drejt evropianit: Jemi grup i bashkuar, sakrifikojmë të gjithë për njëri-tjetrin

Berat Gjimshiti ka mbushur tetë vite që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe në këto tetë vite ai padyshim ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të kuqezinjve.
Është një futbollist i qetë në fushë dhe jashtë saj, por ama në duele nuk ka kompromis për kundërshtarët pasi fiton thuajse çdo duel.
Ai është nga fshati Tërrnoc prej Luginës së Preshevës dhe në dy ndeshjet më të rëndësishme të Shqipërisë në tetë vitet e fundit ka mbajtur shiritin e kapitenit në krah përballë Republikës Çeke dhe Polonisë.
Gjimshiti është një lider i heshtur, por ai po e udhëheq kombëtaren drejt ëndrrës për ta përsëritur suksesin e vitit 2016 që të kualifikohen në Kampionatin Evropian.
30-vjeçari ka zhvilluar 51 ndeshje me kuqezinjtë në tetë vite, derisa ka realizuar edhe një gol dhe ka asistuar në një tjetër.
Në një intervistë për Telegrafin, qendërmbrojtësi i Atalantës flet për katër pikët e marra në muajin shtator, gjasat e Shqipërisë për të shkuar në Euro 2024, tre ndeshjet e ardhshme, prurjet e reja në Kombëtare si dhe për këngët patriotike që janë bërë virale duke u kënduar nga futbollistët së bashku me tifozët.
Telegrafi: Berat, morët katër pikë në dy ndeshje. Sa jeni të kënaqur? Gjimshiti: Janë katër pikë të mëdha, edhe pse kemi pasur dy ndeshje shumë të vështira. Gjithsesi janë katër pikë shumë të rëndësishme që na kanë vendosur në krye të Grupit dhe jemi shumë të lumtur.
Telegrafi: Jemi në krye të Grupi E me 10 pikë pas pesë ndeshjeve?
Gjimshiti: E përmenda që kemi mundur të marrim edhe më shumë. Ndeshjen e parë me Poloninë kemi mundur të merrnim më shumë dhe nuk e merituam humbjen, por edhe me Çekinë kemi pasur rast të merrnim më shumë, por në fund mendoj se ishte rezultat i drejt.
Telegrafi: A është kjo Shqipëria më e fortë në histori, ose së paku prej kohës që ti je pjesë e saj? Gjimshiti: Nuk e di nëse është kjo Shqipëria më e forta në histori, por di të them se padyshim që është Shqipëria më e talentuar. Është një miks i mirë mes futbollistëve me përvojë dhe talenteve të rinj dhe po funksionon shumë mirë.
Telegrafi: A po e udhëheq Berati si kapiten Shqipërinë drejt Evropianit? Gjimshiti: Unë nuk jam ai lloj futbollisti që bërtas apo jam arrogant edhe pse kam shiritin në krahë. Më thonë kapiten i heshtur, por mundohem që t’i motivoj gjithmonë shokët dhe me qetësi e maturi të marrim edhe fitoret. Shpresoj që me mua si kapiten të shkojmë në Evropian, është ëndrra e gjithë shqiptarëve.
Telegrafi: Nëse ke dyshime se a është Shqipëria më e fortë ndonjëherë, a ke dyshime a është grupi më i bashkuar ndonjëherë? Gjimshiti: Sa i përket grupit mund ta konfirmoj se jemi shumë të bashkuar. Edhe më parë ishim, por me ardhjen e trajnerit Sylvinho jemi shumë të bashkuar. Sakrifikojmë të gjithë për njëri tjetrin, luftojmë të gjithë për njëri tjetrin dhe vetëm në këtë mënyrë sukseset vijnë si grup.
Telegrafi: Janë bërë virale videot duke kënduar në fund të ndeshjes këngë për komandantin legjendar Adem Jashari. A janë këngët patriotike që motivojnë futbollistët e Kombëtares? Gjimshiti: Është emocion shumë i madh kur sheh gjithë stadiumin e mbushur me shqiptarë nga të gjitha trevat dhe të gjithë këndojmë së bashku. Natyrisht që na motivojnë këngët për patriotike dhe për heronjtë kombëtar. Edhe këngë të tjera shqipe ka shumë të bukura me të cilat motivohemi.























































