Albion Rrahmani realizoi një gol në finalen e Kupës së Çekisë, por kjo nuk mjaftoi për të shpëtuar Spartën e Pragës nga humbja 3-1 përballë Sigma Olomouc.

Goli i tij nuk mori shumë vëmendje, pasi fokusi mediatik u përqendrua te disa momente të dyshimta dhe ndërhyrje të rrezikshme gjatë ndeshjes – njëra prej të cilave përfshinte vetë Rrahmanin.


Portali çek seznam.cz raportoi se ndeshja kishte nisur me atmosferë të shkëlqyer në pjesën e parë, por niveli ra ndjeshëm në pjesën e dytë, sidomos pas penalltisë së Spartës. Intensiteti në fushë u rrit, duke çuar në situata të tensionuara dhe vendime kontestuese nga arbitri.

Një moment i tillë ndodhi në minutën e 87-të, kur Rrahmani u përplas me Jakub Pokornyn pranë vijës anësore. Sulmuesi i Spartës, në një përpjekje të nxituar për të ndalur kundërshtarin që po e godiste topin, u hodh në drejtim të tij dhe, për shkak të shpejtësisë dhe humbjes së kontrollit, përfundoi duke e goditur me gju në fytyrë dhe më pas me dorë në qafë.

Sipas raportimeve, një ndërhyrje e tillë meritonte përjashtim me karton të kuq, por gjyqtari Karel Rouçek vendosi vetëm për një vërejtje.

Përplasja ndezi reagime në pankinat e të dy ekipeve, duke përfunduar me një incident tjetër – një anëtar i Spartës qëlloi një lojtar kundërshtar me shuplakë dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Rrahmani u inkuadrua në pjesën e dytë, ndërsa Ermal Krasniqi hyri në lojë në minutën e 69-të. Qazim Laçi ishte titullar, ndërsa Indrit Tuci e kaloi ndeshjen në bankën rezervë.

telegrafi sport app