Organizata “Albanians for America” ka mirëpritur marrëveshjen ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Në një deklaratë, organizata ka vlerësuar përvojën akademike dhe profesionale të Sejdiut, duke theksuar angazhimin e tij ndaj shtetësisë së Kosovës, vlerave demokratike dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit.


Më poshtë gjeni postimin e plotë:

Albanians for America mirëpret marrëveshjen ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

Prof. Dr. Bekim Sejdiu sjell një përvojë të gjerë akademike dhe profesionale, një karrierë të dalluar publike dhe një angazhim të dëshmuar ndaj shtetësisë së Kosovës, vlerave demokratike dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit.

Albanians for America e mbështet nominimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut dhe u bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që këtë proces ta trajtojnë mbi bazën e interesit shtetëror dhe nevojës për institucione të qëndrueshme, demokratike dhe të besueshme.

Kosova ka nevojë për një President që bashkon, përfaqëson dhe mbron interesin e saj shtetëror, si dhe forcon partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin euroatlantik të Republikës.

Prandaj, u kërkojmë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që, pa humbur kohë, të përmbushin përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe të votojnë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.



Bekim Sejdiu raportohet se ka pranuar kandidaturën për President të Kosovës, duke deklaruar se është i gatshëm të vihet në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Marrëveshja për kandidaturën e tij është arritur pas një sërë takimesh ndërmjet kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pas publikimit të marrëveshjes, kanë nisur edhe reagimet e para. /Telegrafi/