Bedri Hamza ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), vetëm një ditë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga ky post.

Në një shkrim në Facebook, Hamza tha se beson në “forcën e PDK-së për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”.


Ai theksoi se PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës — nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi dhe integrimi.

Hamza përmendi me mirënjohje themeluesit e partisë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke shprehur dëshirën që ata “të jenë së shpejti mes nesh”. Ai falënderoi gjithashtu Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin për udhëheqjen e tyre “me dinjitet në kohë sfidash”.

“Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, ka shkruar Hamza.

Një ditë më parë, Memli Krasniqi kishte dorëzuar mandatin dhe kishte ftuar konventën e partisë për 17 nëntor, duke shprehur publikisht pëlqimin që Bedri Hamza të jetë kandidati për kryetar të ri të PDK-së.