Kosova është renditur në vendin e 13-të në botë për nivelin më të ulët të kërcënimeve ndaj paqes dhe demokracisë, sipas Normandy Index 2025, raport i përgatitur nga shërbimi kërkimor i Parlamentit Evropian (EPRS).

Ky vlerësim e pozicionon Kosovën në mesin e 10 për qind të shteteve më reziliente globalisht dhe në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për siguri strategjike, duke lënë pas të gjitha vendet e rajonit.


Normandy Index nuk mat perceptimin e qetësisë së një shteti, por shkallën e ekspozimit ndaj rreziqeve reale si destabilizimi politik, dezinformimi, presioni i jashtëm, krizat ekonomike, pasiguria energjetike dhe kërcënimet hibride.

Ky instrument përdoret nga Bashkimi Evropian për të identifikuar dobësitë dhe kapacitetet reale të shteteve për t’u përballur me këto sfida.

Sipas raportit, Kosova dallon për reziliencë të lartë institucionale dhe shoqërore, ndërsa sfida kryesore mbetet përballja me dezinformimin, kryesisht atë që vjen nga jashtë.

Në krahasim rajonal, Shqipëria renditet në vendin e 20-të, me një performancë solide dhe rreziqe të menaxhueshme.

Mali i Zi, në vendin e 21-të, konsiderohet një nga surprizat pozitive të indeksit, duke shënuar përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara.

Maqedonia e Veriut renditet e 26-ta, me një rënie të lehtë të ndikuar nga tensionet politike të brendshme dhe dobësitë institucionale.

Serbia renditet në vendin e 41-të, dukshëm më poshtë se vendet e tjera të rajonit. Raporti evidenton probleme serioze në proceset demokratike dhe në reziliencën ndaj dezinformimit, duke theksuar gjithashtu lidhjet e ngushta strategjike të Beogradit me Rusinë dhe Kinën, faktorë që rrisin ekspozimin ndaj presioneve gjeopolitike dhe kërcënimeve hibride. Bosnja dhe Hercegovina, në vendin e 54-të, mbetet ndër shtetet më të brishta në rajon, me institucione të dobëta dhe rrezik të vazhdueshëm destabilizimi.

Në nivel global, vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të shfaqen më pak të rrezikuara se mesatarja botërore. Raporti vëren se Rusia dhe Kina kanë pësuar rënien më të madhe në profilin e sigurisë strategjike, ndërsa Shtetet e Bashkuara shënojnë një nga përmirësimet më të mëdha.

Mesatarja globale e Normandy Index për vitin 2025 është 5.79 nga 10, duke reflektuar një mjedis ndërkombëtar më të pasigurt krahasuar me vitet e mëparshme, por ende jo jashtë kontrollit.

Të dhënat janë publikuar nga hulumtuesi i lartë në Institutin Octopus për Studime të Luftës Hibride, Gurakuç Kuçi.